FAKULTETI I INXHINIERISË MEKANIKE DHE ELEKTRIKE


FAKULTETI I INXHINIERISË MEKANIKE DHE ELEKTRIKE
✤ Fakultet i UT, qendër kryesore për përgatitjen e specialistëve me kualifikim të lartë për disa degë të teknikës. U krijua më 1983 nga ndarja e Fakultetit të Inxhinierisë (krijuar më 1957) i cili ishte vijim i Institutit të Lartë Politeknik (themeluar më 1951). Sot ka 5 degë, të ngritura në kohë të ndryshme: dega mekanike (me tri profile) dhe elektrike (me dy profile), që janë krijuar që më 1951, dega e elektronikës, dega e metalurgjisë dhe dega e tekstileve që janë krijuar përkatësisht më 1961, 1969 dhe 1981. Në këto degë përgatiten inxhinierë të 8 profileve. Punën mësimore-shkencore e zhvillojnë 11 katedra: të konstruksioneve mekanike, teknologjisë së metaleve, termoteknikës, vizatimit teknik dhe gjeometrisë deskriptive, makinerive, metalurgjisë, elektroteknikës, centraleve elektrike, elektrifikimit të industrisë, elektronikës dhe të tekstileve, Studimet zgjasin 5 vjet. Pranë fakultetit është organizuar dhe sistemi pa shkëputje nga puna me afat 6-vjeçar. Ka dhe filiale në qytete të mëdha të vendit. Një varg laboratorësh të disiplinave shkencore shërbejnë për konkretizimin e pjesëve teorike, për zhvillimin e punës shkencore të studentëve dhe për punën kërkimore të katedrave, Përveç përgatitjes së teksteve mësimore, në katedrat e fakultetit zhvillohet veprimtari kërkimore-shkencore në fushat e mekanikës, energjetikës, elektronikës e metalurgjisë. Pranë fakultetit është organizuar dhe kualifikimi pasuniversitar. Më 1982 u organizua dhe specializimi dyvjeçar pasuniversitar i kuadrove të prodhimit. Që nga krijimi i degëve të këtij fakulteti janë diplomuar mbi 3500 studentë. (M.Gj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Fakulteti I Inxhinierisë Mekanike Dhe Elektrike


[cite]