Malësorët e Veriut gjatë shek. XIX dhe XX

Malësorët e Veriut

Trevat shqiptare nuk u zhvilluan të gjitha njëlloj nga pikëpamja ekonomike e shoqërore. Në përshtatje me kushtet historike e natyrore, disa nga krahinat e thella malore u zhvilluan me ritme më të ngadalshme se viset që kishin një truall bujqësor relativisht më të pasur. Prapambetja më e theksuar dukej sidomos në malësitë e Mbishkodrës, të Dukagjinit, të Mirditës, të Pukës dhe të Gjakovës, në të pesë “Malet e Mëdha”, siç quheshin ato në shek. XIX.
Marrëdhëniet ekonomiko-shoqërore në këto zona rregulloheshin sipas së drejtës zakonore të trashëguar nga shekujt e kaluar. Megjithatë, asnjëra nga këto malësi nuk ndodhej në stadin e rendit fisnor, qoftë dhe në shpërbërje e sipër. Jo vetëm në çdo “mal” (krahinë), por edhe në çdo fshat, madje në shumicën e rasteve edhe në çdo lagje, banonin familje që nuk kishin lidhje gjaku ndërmjet tyre. Baza e organizimit fisnor – pronësia e përbashkët mbi fondin e tokave bujqësore – ishte zhdukur. Prona private mbi tokat e bukës ishte vendosur prej disa shekujsh. Kjo pronë ishte sanksionuar në mënyrë të theksuar edhe në të drejtën zakonore, me të gjitha tiparet e saj kryesore, siç janë shitja, blerja, jetërsimi. Në kanunin e Lekë Dukagjinit, që është mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi në fund të shek. XIX, prona private ishte shpallur e shenjtë, e paprekshme. Edhe në rast se një familje shpërngulej nga fshati, thuhet në kanun, “po s’e shiti trollin e tokën, ashtu do t’i rrijë e nuk ka tager (të drejtë – shën. i aut.) kush me ngulë mbi to”. Paprekshmëria e tokës garantohej me norma të veçanta nga kanuni. Kufijtë e pronave nuk mund të prekeshin, as mund të lëvizeshin: “me luejt kufinin, – thuhet në kanun, – asht nji si me luejtë me eshtent’e të dekunve”. Gjurmët e pronësisë së përbashkët të fisit mbi tokën e bukës dhe dukuria e ndarjes së herëpashershme të tokave ndërmjet anëtarëve të fisit qenë zhdukur krejtësisht.

Toka blihej e shitej, ajo trashëgohej pa ndonjë pengesë. Jo vetëm toka, por edhe radha e ujitjes dhe e mullirit mund të shitej. Toka u shitej edhe kushërinjve më të afërt, gjë që shpreh edhe më shumë konsolidimin e pronës private mbi tokën.
Institucioni i pronës private mbi tokën dhe mbi veglat e punës kishte sjellë në gjirin e malësorëve të krahinave të veriut të gjitha pasojat e diferencimit të popullsisë. Shumë malësorë kishin humbur pronat e tyre dhe ishin kthyer në bujq ose argatë, të cilët shfrytëzoheshin nga pronarët e pasur të tokave. Këta të fundit tokat i jepnin me qira ose merrnin pranë ekonomive të tyre punëtorë mëditës, rrogëtarë me pagë vjetore ose argatë me pagë ditore nga radhët e malësorëve të varfëruar, që i kishin humbur a i kishin shitur pronat e tyre. Figurën e pronarit të pasur të tokave dhe atë të fshatarit bujk pa tokë e gjejmë të pasqyruar edhe në kanunin e maleve. “Bulg, – thuhet në kanun, – thirret njaj, i cili hinë me punue tokën e njaj zotnije”. Një varg normash rregullonin marrëdhëniet ekonomike ndërmjet pronarit e bujkut; detyrimi i bujkut (qiraja) caktohej edhe këtu sipas marrëveshjes së “lirë”: “Gjithçka të mbjellë bulgu në tokë të zotnis do ta ndajë me zotnin mbas vendimit qi të kenë ba”. Edhe këtu shkalla e shfrytëzimit ishte shumë e lartë, deri në gjysmën e prodhimit. Në kanun thuhet: “Në se e pastë bulgu gjan’ e zotnis përgjymës, kashti i rrin bulgut e me pleh do të plenohen tokët. Mundin e puntoris e njeh bulgu”.
Në këto vise malore ka pasur edhe bujq, të cilët detyroheshin të merrnin me qira së bashku me tokën edhe kafshët e punës. Në kanun bëhet fjalë edhe për kushtet e marrjes së kafshëve të punës me qira, për të cilat bujku i paguante pronarit 1,50 kv kur e dimëronte vetë kaun dhe 2,25 kv kur e dimëronte pronari. Këtë qira ai do t’ia paguante pavarësisht nëse e shfrytëzonte ose jo në punë kaun e parmendës. Duhet shtuar këtu se, me gjithë kushtet e rënda në të cilat ishte vënë, bujku i këtyre krahinave të prapambetura nuk e njihte angarinë. Ai ishte i ngarkuar me korrjen, shirjen, zhveshjen e misrit, por vetëm në tokën e tij. Në rast se pronari e mblidhte vetë misrin, bujku, thuhet qartë në kanun, nuk kishte detyrë për zhveshjen e misrit, por vetëm t’ia mbartte pranë kullës pronarit.
Një tjetër figurë shoqërore, që tregonte diferencimin e malësorëve të varfër, qe dalja edhe atje në shesh e rrogtarit (e fshatarit argat). Në kanun bëhet fjalë për normat që rregullonin marrëdhëniet ndërmjet rrogtarit e punëdhënësit. Atje thuhet shprehimisht se rrogtari “po s’eci mbas andes së zotnis, ky mund t’a dajë…”.

Me toka shumë të pakëta, burimi kryesor i jetesës së malësorëve të varfër ishte blegtoria. Në të vërtetë, para mesit të shek. XIX këto vise qenë shumë të pasura me blegtori. Familjet malësore kishin tufa bagëtish, të cilat numëronin me qindra ose me disa dhjetëra krerë të imëta e të trasha. Kjo gjendje e dikurshme pasqyrohej edhe në kanunin e Lekës, sidomos aty ku bëhet fjalë për gjobat e ndryshme. Gjobat me 10 kokë bagëti qenë të zakonshme; por kishte gjoba edhe më të mëdha, si për shembull, për një vrasje 100 deshë e një ka. Në një vend tjetër të kanunit thuhet: “Ma e ulta giobë mbrrin në nji dash e ma e nalta nuk mund të kalojë mbi njiqind desh”.
Përveç blegtorisë, burim tjetër të ardhurash për malësorët ishin shpërblimet në të holla që merrnin për shërbimet e tyre si mercenarë. Mercenarizmi ishte për këto krahina një dukuri e diktuar nga kushtet e sundimit osman, nga varfëria e thellë ekonomike dhe nga pamundësia për të siguruar të ardhura me anë të punës. Blegtoria, bujqësia dhe mercenarizmi kishin krijuar deri në mesin e shek. XIX njëfarë ekuilibri në bilancin e ekonomisë familjare të këtyre malësorëve.

Por gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX ky ekuilibër u prish. Me përgjithësimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të ardhurat nga mercenarizmi u prenë. Me centralizimin e pushtetit perandorak, Porta e Lartë filloi të kërkonte taksa edhe nga malësorët e varfër. Veç kësaj, duke mos qenë shumë larg Shkodrës, Gjakovës e Pejës, edhe këto krahina të veçuara filluan të ndienin ndikimin e marrëdhënieve të tregut. Qoftë për të siguruar bukën e vitit, qoftë për të paguar taksat shtetërore, fshatarët malësorë, filluan të merreshin me veprimtari suplementare ekonomike, grumbullonin katran, gështenja, lëndë, dru, të cilat i shisnin në Shkodër. Por edhe kjo nuk i shpëtoi nga varfërimi.

Me anën e kryengritjeve të shpeshta ata i shpëtuan për njëfarë kohe pagesës së taksave shtetërore. Me keqësimin e vazhdueshëm të gjendjes ekonomike, malësorët filluan të shitnin edhe bagëtitë, e vetmja pasuri me peshë që kishin. Brenda disa dhjetëvjeçarëve pasuria blegtorale e këtyre viseve ose u pakësua nga shitja në tregjet e qyteteve, ose u përqendrua në duar të disa familjeve të pasura malësore. Si kudo edhe këtu fenomeni i borxheve u përhap me ritme shumë të shpejta. Gjendja e tyre në mjerim të vazhdueshëm i shtynte fajdexhinjtë të kërkonin kamatë të madhe, duke shkelur e duke lënë mënjanë dispozitat e kanunit të Lekë Dukagjinit, të cilat e ndalonin fajdenë.
Mërgimi stinor nuk la pa prekur as fshatarët e varfër të këtyre malësive, të cilët filluan të largoheshin gjatë disa stinëve nga fshati për të kërkuar punë në vende të ndryshme, sidomos në Shkodër. Ky mërgim që u përhap me shpejtësi krijoi edhe këtu një kategori malësorësh, të cilët për të jetuar u detyruan të shitnin fuqinë e tyre të punës si mall.

Diferencimi shoqëror solli edhe këtu konflikte ndërmjet vegjëlisë e bajraktarëve të viseve malore. Këto konflikte janë pasqyruar në kanun, megjithëse jo aq qartë për shkak të mbledhjes dhe të kodifikimit jo të plotë. “Po u çue një katund, – thuhet në kanun, – për me u ngrefë luftë Krenvet, Strapleqvet e Vogjlis së Flamurit, nën të cilin gjindet, atbotë do të bahet me dije Dera e Gjomarkut në za të së cilës do të çohen edhe Flamujt tjerë e nën prirje të kësaj Dere do të msyhet katundi i dalun dore, edhe i biejn në mend me ndëshkime giobësh, me të nxjerrun prej vendit, a edhe me të grime katundisht, në pastë ba kush ndo’i faj për të grim”.
Megjithatë në malësitë e Veriut kishte akoma mbeturina të largëta të marrëdhënieve patriarkale e fisnore. Të tilla ishin kujtimi i fisit dhe kujria e fisit, karakteri patriarkal i familjes dhe rendi i trashëgimisë së pronës, rendi i shitjes së tokave dhe norma e martesave, zakoni i gjakmarrjes dhe kuvendi i fisit.

Në viset malore të Shqipërisë së Veriut ruheshin ende gjurmët e barazisë së vjetër fisnore, megjithëse kishin filluar të përforcoheshin privilegjet e bajraktarëve, e sidomos të familjes së Gjonmarkajve në Mirditë. Gjurmët e barazisë së dikurshme ruheshin vetëm në të drejtën e shprehur. Kështu, për shembull, në kanun thuhej se “gjithsa djelm të lejn, njihen të mirë e nuk veçohen njeni prej tjetrit”; “Kanunet qi ven një katund me Pleq e Vogjli për vedi… as Flamuri e as Dera e Gjonmarkut nuk mund t’ua luej”.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]