Struktura shoqërore e fshatit në fund të sundimit osman
Në kushtet e krijuara pas viteve 40, erdhën duke u ndryshuar si fizionomia e shtresave të shoqërisë agrare, ashtu edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre.
Në radhë të parë këto ndryshime prekën feudalët si kategori shoqërore. Me heqjen e sistemit të timareve, feudalët spahinj nuk përbënin më, si në të kaluarën, mbështetjen kryesore të sundimit osman. Tani që humbën tesarrufin, nga i cili buronte pushteti i tyre feudal, mjaft spahinj u shndërruan në feudalë derebej ose u bënë funksionarë të administratës. Këta feudalë derebej, duke u mbështetur krejtësisht në dhunën e hapur dhe duke përfituar nga dobësia e pushtetit qendror, vijuan njëri pas tjetrit të kthejnë mjaft fshatra të lira në fshatra çifligje, duke u bërë pronarë çifligarë. Megjithatë figura e derebeut nuk u zhduk nga fshati shqiptar. Deri në fund të sundimit osman shtresa e feudalëve derebej, edhe pse erdhi duke u zvogëluar, vazhdoi të shtypte dhe të shfrytëzonte fshatarët e lirë.
Me heqjen e sistemit të timareve, vendin kryesor në grupimin sundues të shoqërisë agrare e zunë bejlerët çifligarë, pesha e të cilëve në jetën ekonomike e shoqërore të vendit erdhi duke u rritur.
Pronarët e mëdhenj me origjnë feudale, të lidhur pas metodave të vjetra të përdorimit të punës së bujqve, nuk kishin interes për ta ndryshuar strukturën shoqërore e shtetërore të Perandorisë, për më tepër ata ishin kundër reformave të reja osmane. Si të tillë ata formonin një koalicion të përbashkët me shtresat e tjera konservatore të vendit, të cilat bënin gjithashtu pjesë në radhët e parisë sunduese, siç ishin shtresat e larta të hierarkisë klerikale dhe funksionarët e lartë të administratës perandorake osmane.
Të tjerët, çifligarët e prirur për metodat e organizimit kapitalist të çifligjeve, kërkonin zbatimin e reformave shtetërore në dobi të ekonomisë së tyre çifligare. Veçanërisht të interesuar për të ashtuquajturin evropianizim të Turqisë ishin pronarët e mëdhenj të tokave, të cilët synonin t’i investonin kapitalet e tyre jo vetëm në fushën bujqësore, por edhe në sferën industriale, duke u bërë kështu jo vetëm pronarë çifligjesh, por edhe pronarë fabrikash?. Me një bazë të tillë ekonomike këta bejlerë çifligarë kishin një fizionomi shoqërore të dyfishtë: si pronarë tokash ata kishin pika takimi me bejlerët feudalë, si veprimtari ekonomike anonin kryesisht nga borgjezia reshpere, në ndonjë rast edhe nga borgjezia industriale.
Shprehje e depërtimit të ekonomisë së tregut në bujqësi ishte lindja e një force të re në shoqërinë fshatare, e borgjezisë agrare (fshatarët e pasur dhe fermerët bujq). Por në rrethanat e përqëndrimit të fondit kryesor të tokës në duart e bejlerëve çifligarë, borgjezia agrare, e lindur nga radhët e fshatarëve pronarë, dhe e bujqve çifçinj nuk pati kushte të favorshme zhvillimi. Për këtë arsye, ashtu si borgjezia industriale, edhe ajo mbeti deri në fund të sundimit turk në hapat e saj fillestarë si klasë, shumë e pakët në numër dhe tepër e dobët nga pesha ekonomike.
Në radhët e popullsisë së fshatit pjesën më të varfër e përfaqësonin bujqit çifçinj dhe fshatarët argatë. Në mënyrë të veçantë fshatarët argatë tani kishin marrë krejtësisht tiparet e punëtorëve të fshatit, pasi ata nuk kishin tanimë ekonomi individuale. Megjithatë, si fshatarët argatë, ashtu edhe bujqit çifçinj, në kushtet e atëhershme, nuk e shikonin shpëtimin e vet te zbatimi i ndonjë reforme agrare si ato që u bënë në vendet e tjera të Evropës, por te pajisja e tyre me tokë me anë të blerjes dhe me rrugë individuale.
Deri në fund të sundimit osman pjesën dërrmuese të popullsisë agrare e formuan fshatarët pronarë, kurse në radhët e tyre fshatarët e vegjël. Edhe pse pronarë të tokës që punonin, fshatarët e vegjël ishin aq të varfër, sa nuk mund të siguronin jetesën pa punuar jashtë ekonomisë së tyre brenda ose jashtë vendit.
Sikurse qyteti, ashtu edhe fshati shqiptar karakterizohej në fund të sundimit osman nga një kompleks i tërë kontradiktash. Ndërsa fondi kryesor i tokave të punueshme (rreth 45 %) ishte në duart e pronarëve çifligarë, prodhuesit fshatarë që punonin në këto toka (bujqit dhe argatët) përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë agrare. Së bashku me malësorët fshatarët e vegjël e të mesëm përbënin rreth 65% të popullsisë agrare, kurse pesha e prodhimit të tyre bujqësor ishte, për shkak të tokave të pakëta që zotëronin, (rreth 25%) shumë e ulët kundrejt prodhimit global bujqësor. Edhe pse jeta ekonomike e fshatit ecte drejt ekonomisë së tregut, mungonin kushtet e domosdoshme për zhvillimin e borgjezisë agrare. Shumica dërrmuese e popullsisë agrare nuk kishte fare marrëdhënie ekonomike me ekonominë e tregut.
Nga ana tjetër, baza ekonomike e feudalizmit ishte shthurur përfundimisht, ndërsa në Perandorinë Osmane vijonte të ruhej struktura shtetërore feudale. Po ashtu edhe bejlerët çifligarë, ndërsa mbanin nën shtypje ekonomike fshatarët bujq e fshatarët argatë, linin pa shfrytëzuar një pjesë të mirë të tokës së punueshme, u hiqnin fshatarëve të vegjël mundësinë të pajiseshin me toka për të cilat kishin nevojë dhe pengonin zhvillimin e lirë të borgjezisë agrare.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare