Marrëdhëniet agrare brenda çifligjeve

Marrëdhëniet agrare brenda çifligjeve

Deri në vitet 40 çifligjet e katër vilajeteve ruanin ende, në vijat e tyre të përgjithshme, tiparet themelore të çifligjeve feudale, pak a shumë ashtu siç ishin formuar gjatë shekujve të kaluar. Në gjirin e tyre ekonomia natyrore ishte shthurur me ritme më të ngadalshme se në fshatrat joçifligje të vendit. Pothuajse të gjitha karakterizoheshin nga prapambetja e theksuar e teknikës bujqësore. Secili bujk ishte i pajisur me një ngastër toke, në të cilën ai kishte ngritur ekonominë e vet. Kafshët e punës së bashku me veglat e tjera të prodhimit ishin pothuajse kudo pronë e fshatarit çifçi. Edhe pse juridikisht quhej si ortak me pronarin, çifçiu në të vërtetë ndodhej në vartësinë e plotë të feudalit të fuqishëm çifligar. Marrëdhëniet ndërmjet çifçinjve dhe çifligarit vijonin të ndërtoheshin sipas traditës mbi bazën e së tretës, të gjysmës dhe të qesimit, të praktikuara pothuajse në të gjitha pronat çifligare. Nga mesi i viteve 60 të shek. XIX filluan të përpiloheshin edhe kontrata qiraje me shkrim, dukuri që erdhi duke u shpeshuar. Këto marrëdhënie mbështeteshin tani, në ligjin agrar të vitit 1858, sipas të cilit fshatarët mbaheshin si qiramarrës të thjeshtë dhe juridikisht të lirë, ndërsa ndarja e prodhimit vijoi të bëhej siç kishte qenë para Tanzimatit. Nga këto sisteme, më i përhapuri vijoi të ishte ai i së tretës. Madje, krahas të tretës së prodhimit ose të qesimit në natyrë që i jepte pronarit, bujku ishte ngarkuar prej kohësh edhe me detyrimin e angarisë, të cilin kanunametë e vjetra nuk e kishin lejuar. Si rrjedhim, detyrimet e fshatarit çifçi ndaj çifligarit e ruanin karakterin e mëparshëm të detyrimit joekonomik.

Zhvillimi ekonomik e shoqëror që u duk në viset shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe viteve të para të shek. XX preku jo vetëm karakterin e pronësisë çifligare, por edhe regjimin e brendshëm të çifligjeve. Zhvillimi i tregut të brendshëm, rritja e popullsisë qytetare dhe zgjerimi i marrëdhënieve tregtare me viset e huaja e përfshiu me ritme të shpejta në sferën e qarkullimit të mallrave edhe prodhimin bujqësor të çifligjeve. Meqenëse në tregun shqiptar çmimet e prodhimeve bujqësore pësonin ndryshime të theksuara nga një stinë në tjetrën, pronarët çifligarë vijonin ta kërkonin rentën në natyrë dhe jo në të holla, sepse, duke e grumbulluar drithin në verë për ta shitur në dimër, ata nxirrnin fitime më të mëdha. Kështu bejlerët pronarë filluan të ktheheshin edhe në tregtarë hambarxhinj. Lidhja e prodhimit të çifligut me tregun ndikoi në ekonominë e bujkut çifçi, sepse ky tani filloi të detyrohej nga çifligari që të kultivonte ato kultura bujqësore, të cilat kishin leverdi tregtare për atë. Në këto rrethana, pas mesit të shek. XIX ekonomia natyrore u shthur në gjirin e çifligjeve me ritme të shpejta.

Veç kësaj, disa çifligarë filluan të praktikonin jo sistemin e së tretës, por atë të qesimit (sasi e caktuar drithi që bujku detyrohej t’i jepte feudalit pavarësisht nga prodhimi i korrur). Sistemi i qesimit ishte në interes të çifligarit, sepse me anën e tij renta vjetore ishte e sigurt. Veç kësaj ai ia linte pronarit përherë shtegun të hapur për t’ia rritur bujkut më tej detyrimin. Në të vërtetë, aty ku ky sistem u zbatua, masa e detyrimit u rrit kohë pas kohe. Nga 2,5 deri në 3 kv drithë për ha që ishte më 1880, ai arriti në 4 deri 5 kv drithë për hektar më 1912, sasi kjo e madhe po të merret parasysh teknika e prapambetur e bujqësisë dhe rendimentet e ulëta të prodhimit. Veç kësaj, ky sistem e detyronte bujkun ta dorëzonte sasinë e caktuar të drithit edhe në vitet me korrje të këqija, gjë që sillte rrënimin e tij ekonomik. Për këto arsye shumica e bujqve nuk e pranoi sistemin e qesimit, prandaj ai nuk u shtri në të gjithë vendin, por u kufizua vetëm në disa çifligje të viseve të ulëta.

Depërtimi i vazhdueshëm i ekonomisë së tregut në fshat pati edhe pasoja të tjera për fshatarët-bujq. Një pjesë e vogël e tyre arriti me sakrifica ta blinte tokën dhe të kalonte në radhët e fshatarësisë pronare. Megjithatë, numri i fshatarëve bujq nuk u pakësua, sepse radhët e tyre shtoheshin vazhdimisht me fshatarë të vegjël, të cilët, duke mos i bërë ballë varfërimit ekonomik, shisnin tokat e tyre dhe hynin si bujq nëpër çifligje. Si rrjedhim, në vitin 1912 fshatarët bujq përfaqësonin afërsisht 18% të popullsisë fshatare.

Duke mos i bërë dot ballë rritjes së kërkesave të çifligarit dhe lëvizjes stinore të çmimeve, ekonomia e shumicës së tyre filloi të lëkundej. Bujqit filluan të merrnin gjithnjë e më shumë borxh. Meqë nuk ishin në gjendje t’i shlyenin ato, bujqit e varfëruar filluan të shisnin kafshët e tyre të punës. Për ta mbajtur në këmbë ekonominë e tyre, u detyruan të merrnin me qira nga pronari së bashku me tokën e bukës edhe pendën e qeve?. Numri i këtyre bujqve punëtorë (gjysmatarë ose qesimtarë) që ishin jo vetëm pa tokë, por edhe pa veglat kryesore të punës (qetë), erdhi vazhdimisht duke u rritur. Më 1912 çifligjet pa të tillë bujq ishin shumë të rralla. Në disa raste ata formonin brenda çifligut edhe pakicën (për shembull, në çifligun Rreth afër Durrësit kishte 15 bujq pa pendën e qeve dhe 28 bujq me kafshët e punës). Po kishte dhe çifligje ku ata formonin shumicën dërrmuese (në çifligun Kullë afër Shijakut kishte atë vit 44 bujq pa kafshët e punës dhe vetëm 6 bujq me pendën e qeve).

Në disa raste varfërimi i fshatarëve bujq shkoi edhe më tej. Disa prej tyre, të mbetur pa kafshë pune dhe të zhytur në borxhe, nuk qenë në gjendje ta mbanin në këmbë ekonominë e tyre individuale. Prandaj jo vetëm si individë, por edhe si familje u kthyen në argatë të thjeshtë, punëtorë të përhershëm bujqësorë.

Në kushtet e zhvillimit të ekonomisë monetare dhe të vendosjes së pronësisë private të tokës, detyrimi që i jepte pronarit çifligar jo vetëm bujku i varfëruar (gjysmatari), por edhe ai që zotëronte ende veglat kryesore të prodhimit (tretari) pushoi së qeni formë e rentës feudale. Në të dy rastet ai mori karakterin e qirasë së tokës, kurse fshatari bujk rentar, gjysmatar ose qesimtar atë të një qiramarrësi të thjeshtë. Për më tepër si të tillë ata i njohu edhe Ligji i tokës (Eraz-i Kanuni) i vitit 1858, me të cilin fiksoheshin marrëdhëniet e reja agrare në Perandorinë Osmane. Në të vërtetë, nëpër çifligjet e Shqipërisë filloi të përhapej gjithnjë e më shumë praktika e “marrëveshjeve” ndërmjet bujkut e çifligarit në lidhje me kushtet e punës dhe me format e detyrimit. Sipas vendeve këto “marrëveshje” përsëriteshin çdo 1, 2 ose 5 vjet, madje në vitet e fundit të sundimit osman, në disa raste, ato filluan të fiksoheshin me shkrim. Nevoja që kishte bujku për tokë dhe pozita e tij e ulët shoqërore, i jepte mundësi pronarit çifligar t’i diktonte atij kushte të rënda, të kërkonte, krahas të tretës a qesimit, edhe disa ditë pune angari ose dhurata të ndryshme në bagëti, shpendë, vezë etj. Megjithatë, në kushtet e krijuara pas mesit të shek. XIX, nënshtrimi i bujkut nuk rridhte nga vartësia e tij ligjore ndaj feudalit, por nga nevoja e jetës, nga po ajo nevojë që e shtynte punëtorin të pranonte mëditjen që i diktonte pronari i fabrikës. Pra, qiraja që bujku tani i jepte pronarit filloi të vishej me karakterin e detyrimit ekonomik.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]