Rritja dhe copëzimi i pronës çifligare
Në fillim të viteve 40 timari feudal turk zyrtarisht nuk ekzistonte më në Perandorinë Osmane. Ai ishte suprimuar me ligj nga Porta e Lartë qysh në vitin 1834. Në të vërtetë, timari ishte zhdukur nga tokat më pjellore të viseve shqiptare, të cilat kishin hyrë në sistemin e çifligut, përpara se të hiqej zyrtarisht. Timari qëndronte ende vetëm në fshatrat me toka buke të pakëta, por edhe këtu zotëruesit e tyre, spahinjtë, në shumicën e rasteve ishin kthyer prej kohësh në feudalë-derebej. Si të tillë ata i ruanin pozitat sunduese vetëm në saje të përkrahjes që u detyrua t’u jepte sulltani me anën e sistemit të “harxheve”. Sipas këtij sistemi, feudalët spahinj gëzonin të drejtën në kohë lufte të rekrutonin kundrejt “harxheve” (shpërblimeve) mercenarë për në luftë dhe në kohë paqeje të vilnin, kundrejt një shume të caktuar, taksat shtetërore brenda timarit të tyre.
Megjithatë, pas vitit 1834 spahinjtë nuk u ngjanin atyre të shekujve të kaluar, pasi tani nuk e gëzonin tesarrufin (zotërimin) mbi tokat e fshatarit. Si rrjedhim ata e kishin humbur zotërimin feudal mbi tokën. Por edhe pse e humbën tesarrufin, spahinjtë derebej, duke u mbështetur në forcat e tyre të armatosura dhe në përkrahjen e Portës së Lartë, vijuan të ushtronin pushtet mbi fshatarët e zonës së tyre.
Për të njëjtat arsye Porta e Lartë nuk preku as bajraktarët e krahinave malore të veriut. Ata vijuan të gëzonin si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje po ato detyra dhe po ato të drejta që kishin pasur gjatë shekullit të kaluar. Megjithatë, në viset malore të Veriut, për shkak të mbeturinave ende të gjalla të normave fisnore, dhuna dhe arbitrariteti i bajraktarëve nuk morën përpjesëtime aq të mëdha, sa ato të derebejve në viset e tjera të vendit.
Me heqjen e sistemit të timarit dhe me njohjen zyrtarisht të pronësisë private mbi tokën, pronësia çifligare u njoh ligjërisht nga shteti osman. Bejlerët çifligarë fituan të drejtën jo vetëm ta administronin, por edhe ta zgjeronin lirisht pronën e tyre, e cila për më tepër hyri nën mbrojtjen e dretpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Madje Porta e Lartë, shumicën e çifligjeve që ua kishte konfiskuar dikur feudalëve të dënuar si kryengritës, në radhë të parë Ali pashë Tepelenës, Ibrahim pashë Vërlacit, Ibrahim bej Alltunit, Osman bej Kryekuqit, i shpalli pronësi private shtetërore, duke e kthyer kështu vetë Perandorinë Osmane në një pronare të madhe çifligare. Të drejtën e pronësisë e fituan edhe institucionet fetare islamike e të krishtera. Si rrjedhim, me likuidimin e pronësisë feudale-ushtarake, ajo feudale-çifligare u bë forma
kryesore e pronësisë tokësore, mbi të cilën tani mbështetej shteti feudal turk.
Në vitet 40 çifligjet kapnin në viset e katër vilajeteve rreth 700 mijë hektarë ose rreth 55 për qind të tokave të punueshme. Por shpërndarja e tyre nuk ishte e njëjtë kudo. Në krahinat e vilajetit të Janinës çifligjet zinin rreth 70 për qind të tokave të punueshme, në viset e vilajetit të Shkodrës rreth 60 për qind, në të Manastirit rreth 52 për qind dhe në viset e Kosovës rreth 40 për qind.
Pronësia çifligare nuk ishte rritur njësoj as brenda secilit vilajet. Ajo ishte shtrirë kryesisht në viset fushore, aty ku ndodhej pjesa më e madhe e tokave të punueshme. Nga të dhënat për ejaletin e Janinës del, se më 1850 në rrethet e sotme të Fierit dhe të Lushnjës të gjitha fshatrat pa përjashtim (184 fshatra) ishin kthyer në çifligje. Në disa vise të tjera të ejaletit, si në rrethin e Pogonit, pronësia çifligare zinte 93 për qind të fshatrave, në atë të Paramithisë 91 për qind, në atë të Filatit 64 për qind, në kazanë e Delvinës 58 për qind, në atë të Gjirokastrës 35 për qind, në atë të Vlorës 29 për qind, në krahinën e Mallakastrës 20 për qind, në kazanë e Përmetit 12 për qind, kurse në kazanë e Tepelenës 9 për qind. Brenda ejaletit të Janinës kishte gjithashtu vise, siç ishte kazaja e Skraparit dhe ajo e Tomoricës me 43 fshatra, të cilat nuk e njihnin fare institucionin e çifligut.
Shumica dërrmuese e pronës çifligare, rreth 76 për qind e sipërfaqes së saj, ishte në pronësi private të bejlerëve feudalë, mjaft nga të cilët e kishin grumbulluar me grabitje gjatë dyqind vjetëve të kaluar. Gjatë viteve 40 ajo ndodhej e përqendruar ende në duart e pak familjeve feudale, që të gjitha me origjinë shqiptare. Disa prej tyre zotëronin sipërfaqe të mëdha jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në krahinat e tjera të Turqisë Evropiane: p.sh., familja e Skyfterajve të Libohovës zotëronte rreth 28 000 ha tokë në Toskëri, në Çamëri e në Thesali, kurse ajo e Begollajve të Pejës rreth 22 mijë ha në Kosovë, në Bosnjë e në Serbi. Pronarë të mëdhenj feudalë, të cilët zotëronin çifligje në viset shqiptare, ishin Kokatët e Delvinës (rreth 18 000 ha), Gjinollët e Prishtinës (rreth 16 000 ha), Toptanët e Tiranës (rreth 15 000 ha), Dërrallat e Tetovës (rreth 12 000 ha), Rrotullat e Prizrenit (rreth 10 000 ha), Bushatllinjtë e Shkodrës (rreth 8 500 ha), Okllapajt e Gjilanit (rreth 8 000 ha), Alizotët e Gjirokastrës (rreth 7 500 ha) etj.
Pas bejlerëve feudalë, vendin e dytë si pronar latifondist e zinte vetë shteti osman, i cili zotëronte rreth 20 për qind të pronës çifligare. Pjesa dërrmuese e çifligjeve shtetërore, rreth 105 000 ha (afërsisht 75 për qind e sipërfaqes së tyre), ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse pjesa tjetër ishte e shpërndarë në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës dhe të Kosovës.
Institucionet fetare myslimane, të cilat zinin vendin e tretë, zotëronin rreth 4 për qind të sipërfaqes së përgjithshme çifligare. Afërsisht gjysma e tyre ndodhej në vilajetin e Janinës, kurse në vilajetet e tjera çifligjet vakëfore ishin shumë të copëzuara.
U rritën edhe zotërimet tokësore të kishave ortodokse e katolike. Në vitet 60-70 të shek. XIX 23 kisha e manastire zotëronin rreth 1 300 ha tokë të punueshme dhe pyje.
Me gjithë shtrirjen e madhe të pronësisë çifligare numri i bujqve të vendosur nëpër çifligje ishte i vogël në krahasim me mundësitë e shfrytëzimit të saj. Në të vërtetë, ndërsa çifligjet zinin rreth 55 për qind të tokave të punueshme, në këto toka punonin rreth 25 për qind të familjeve fshatare. Më shumë se 2/3 e tokave çifligare ishin lënë djerr. Kështu në fushën e Myzeqesë në 184 fshatra qenë vendosur vetëm 2 616 familje bujqish çifçinj.
Me përfshirjen e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, vlefta e saj si burim të ardhurash për pronarin erdhi vazhdimisht duke u rritur. Kjo pati pasoja të thella në fushën e pronësisë tokësore.
Te bejlerët çifligarë, të cilët nuk iu përshtatën kushteve të reja që u krijuan me zhvillimin e ekonomisë monetare, përfshirja e tokës në sferën e tregtisë solli copëzimin e saj në duart e trashëgimtarëve të ndryshëm dhe pastaj shitjen e saj pjesë-pjesë. Ky proces, i cili vijoi deri në fund të sundimit osman, dobësoi, si pronarë çifligarë, mjaft nga familjet e vjetra feudale të vendit, siç ishin Kokatët, Skyfterajt, Alizotët, Delvinajt, Toptanët, Bushatllinjtë etj.?
Përkundrazi, familjet feudale, të cilat u lidhën me ekonominë çifligare, i pushtoi lakmia për të shtënë në dorë toka bujqësore. Si rrjedhim, çifligjet e tyre u rritën me ritme të shpejta. Kjo rritje u bë me rrugë të ndryshme. Njëra prej tyre ishte rruga e vjetër e përvetësimit të tokave shtetërore “vakante”, siç quheshin tokat e mbetura prej kohësh të papunuara. Kjo ndodhi sidomos në fushat e Shqipërisë së Ulët, ku të ashtuquajturat toka vakante zinin sipërfaqe të mëdha. Me anën e ryshfeteve mjaft pronarë të rinj siguruan pa ndonjë vështirësi, nga administrata e korruptuar osmane, tapitë përkatëse, duke u kthyer kështu në pronarë të këtyre tokave.??
Rrugë tjetër e rritjes së pronës çifligare ishte shtënia në dorë e tokave të fshatarëve të vegjël nga ana e bejlerëve të pasur. Kjo mënyrë, e cila ishte zbatuar edhe më parë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX mori një përhapje më të madhe. Shumë fshatarë të vegjël i humbën tokat e tyre ngase i shitën për të shlyer borxhet e rënda ose u konfiskuan me anë gjyqi nga kreditorët. Ata që përfituan më shumë nga shitja e këtyre qenë jo vetëm bejlerët e mëdhenj (Toptanët, Vrionët, Vlorajt, Vërlacët, Biçakçinjtë), por edhe mjaft bejlerë të dorës së dytë, të cilët me këtë mënyrë u kthyen në pronarë të mëdhenj (Vokopolat, Bonotët, Hamzarajt, Resulajt etj.).
Prirja për të grabitur tokat pushtoi edhe feudalët derebej. Zakonisht, pasi vinin njërën këmbë në një fshat, bejlerët derebej e vijonin dhunën përpara syve të administratës shtetërore derisa e kthenin fshatin në çiflig, duke u kthyer kështu dhe ata vetë në pronarë çifligarë. Me anën e këtij sistemi pronësia çifligare u shtri jo vetëm në viset e ulëta, por edhe në krahinat e brendshme, si në rrethet e Korçës, të Kolonjës, të Dibrës, të Matit, të Kukësit etj., ku më parë kjo pronësi njihej pak ose nuk njihej fare.
Bejlerët çifligarë i rritën pronat e tyre duke blerë gjithashtu çifligjet që vinin në shitje feudalët e ndryshëm. Veç kësaj, bejlerët çifligarë përfituan edhe në kurriz të çifligjeve shtetërore, të cilat Porta e Lartë i vinte në shitje sa herë ndodhej në vështirësi financiare, sidomos çifligjet që ndodheshin të shpërndara andej-këtej si ishuj të rrethuar nga fshatra të lira. Të tilla ishin kryesisht çifligjet shtetërore të kazave të Delvinës, të Përmetit, të Mallakastrës, të Tepelenës, të Korçës, të Lezhës, të Shkodrës, të cilat në pjesën e tyre më të madhe fundi i sundimit turk i gjeti çifligje private. Çifligjet private u rritën edhe në kurriz të çifligjeve sulltanore me anën e dhuratave që sulltan Abdyl Hamiti II u jepte herë pas here bejlerëve shqiptarë ose në formë shpërblimi për shërbime në favor të pallatit, ose në formë prike kur martoheshin me gratë e haremit perandorak.
Si rrjedhim i këtij zhvillimi në krye të pronarëve të mëdhenj çifligarë qëndronin më 1912 familjet e Vrionëve me 16 300 ha, e Toptanëve me 13 500 ha, e Vlorajve me 13 000 ha, e Dërrallave me 8 500 ha, e Vërlacëve me 7 500 ha, e Kryezinjve me 7 500 ha, e Dinove me 6 500 ha, e Dragave me 6 000 ha, e Biçakçinjve me 5 400 ha dhe një numër i madh bejlerësh pak të njohur në mesin e shek. XIX, por që tani kishin grumbulluar me mijëra hektarë tokë, si Resulajt në Lushnjë (4 500 ha), Bonatët në Peqin (4 500 ha), Vokopolajt në Lushnjë (3 000 ha), Risiliajt në Vlorë (2 000 ha), Shaskat në Vlorë (2 000 ha) etj. Megjithatë, në radhët e tyre, krahas rritjes së pronës çifligare, veproi gjithashtu, nëpërmjet së drejtës së trashëgimisë, copëzimi i saj. Kështu, për shembull, më 1912 pronat e Vrionëve qenë ndarë, ndonëse në mënyrë jo të barabartë, në 9 pronarë, ato të Toptanëve në 8, të Biçakçinjve në 8, të Vlorajve në 4 e kështu me radhë.
Copëzimi i pronësisë çifligare me anën e shitjes dhe të trashëgimisë shkaktoi, veç të tjerave, diferencimin ekonomik të çifligarëve, pasi pranë pronarëve të mëdhenj u rrit numri i pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël. Por radhët e tyre u rritën më shumë me pronarë të ndryshëm që nuk kishin origjinë feudale, pasi tokat që shitën fshatarët e varfëruar, madje edhe një pjesë e tokave që shitën vetë feudalët çifligarë, ranë ku më shumë e ku më pak, në duart e tregtarëve të qyteteve e të fshatarëve të pasur, të cilët në këtë mënyrë u kthyen në çifligarë të vegjël e të mesëm. Madje, ndonjëri prej tyre u bë çifligar i madh, si Iljaz Qoku (Dibër), Milto Shallvari (Durrës), Jaho Çiniu (Gjirokastër), Muhamet Abazi (Gjirokastër), të cilët më 1912 zotëronin rreth 4 000 ha secili. Kjo kategori e re çifligarësh me origjinë jofeudale u shfaq pothuajse në të gjitha krahinat e vendit, në mënyrë të veçantë në rrethet e Shkodrës, të Korçës, të Gjirokastrës, të Elbasanit, të Tiranës e të Vlorës.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX u rritën edhe çifligjet vakëfore, kryesisht në kurriz të pronës çifligare shtetërore (12 fshatra të Myzeqesë u kthyen në vitet 80 nga pronësi shtetërore në pronë çifligare vakëfore).
Por krahas rritjes së pronës çifligare u zhvillua edhe procesi i kthimit të saj në pronë fshatare. Ky proces u krye me anën e blerjes së tokave çifligje nga ana e fshatarëve, të cilët u bënë pronarë të mesëm e të vegjël (siç ndodhi, për shembull, në një pjesë të tokave të Kokatëve, të Alizotëve, të Toptanëve, të Skyfterajve) ose nga bujqit çifçinj, të cilët me sakrifica të mëdha u kthyen në pronarë të vegjël (siç vepruan, për shembull, bujqit e çifligjeve Drenovë e Boboshticë në Korçë, Kapinovë e Vertenik në Berat, Levan e Visokë në Mallakastër, Labovë e Glinë në Gjirokastër, Qilarisht e Bodar në Përmet etj.).
Si rrjedhim, sipërfaqja e pronës çifligare filloi të ulej vazhdimisht. Më 1912 ajo ishte në të katër vilajetet bashkërisht rreth 620 mijë ha, pra rreth 100 mijë ha më pak se më 1840. Ulja u duk në të katër vilajetet: në vilajetin e Janinës nga 240 mijë ha në 228 mijë ha, në atë të Kosovës nga 216 mijë ha në 184 mijë ha, në atë të Manastirit nga 202 mijë ha në 160 mijë ha, kurse në vilajetin e Shkodrës nga 55 mijë ha në 48 mijë ha. Më 1912 prona çifligare përfaqësonte në gjithë Shqipërinë rreth 45 për qind të tokës së punueshme*.
Si pasojë e këtij procesi ndryshoi edhe raporti ndërmjet tri kategorive të pronës çifligare. Më 1912 prona private zinte 81 për qind, prona shtetërore 15 për qind dhe prona vakëfore 4 për qind të sipërfaqes tokësore çifligare. Veç kësaj, prona private çifligare tani nuk ishte më aq e përqendruar si në vitet 40 në duart e pak familjeve feudale. Pjesa më e madhe e saj tani ishte e pjesëtuar në duart e disa mijëra pronarëve çifligarë të mesëm e të vegjël me origjinë pjesërisht feudale, pjesërisht borgjeze.
Si përfundim, edhe pse prona çifligare zinte ende një sipërfaqe të madhe (rreth 45 për qind të tokës së punueshme), ajo nuk e ruante karakterin e pronësisë feudale. Fakti që toka kishte hyrë përfundimisht në sferën e qarkullimit të mallrave dhe se sipërfaqja çifligare rritej ose pakësohej kryesisht me anën e parasë, tregonte se prona çifligare tashmë kishte fituar tiparet e pronës borgjeze.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare