FIZIOTERAPIA


FIZIOTERAPIA
✤ (Physiotherapia). Degë e mjekësisë që përdor metodat fizike për të riaftësuar lëvizjet e kyçeve-, rritjen e forcës muskulore dhe për të përmirësuar funksionet muskulo-skeletike në tërësi. F. ka rol mjekues në shumë sëmundje dhe synon riaftësimin e invaliditeteve të përkohshme dhe atyre kronike. F. është e lidhur ngushtë me Ortopedinë e Traumatologjinë, Reumatoiogjinë, Neurologjinë (shih) e degë të tjera të mjekësisë. Faktorët fizikë (rryma elektrike, ngrohtësia, fushat magnetike etj.) kanë veprim parandalues dhe mjekues në shumë sëmundje. Ushtrimet me lëvizje të ndryshme si dhe masazhet të drejtuara nga punonjës të specializuar (kineziterapia) kanë luajtur rol të rëndësishëm për përmirësimin e lëvizjeve të kyçeve, të forcës muskulore dhe për përmirësimin e funksionit muskulo-skeletik në shumë sëmundje.

Në Shqipëri F. mori zhvillim vetëm në vitet e pushtetit popullor. Ky shërbim sot është shtrirë në spitalet e poliklinikat e qyteteve, që u shërbejnë të sëmurëve të shtruar dhe atyre ambulatorë. Në plazhin e Durrësit prej v. 1972 funksionon Qendra e riaftësimit të fëmijëve me 130 shtretër, ku nëpërmjet kineziterapisë riaftësohen fëmijët pas ndërhyrjeve kirurgjikale të kryera në klinikën e ortopedisë kryesisht për anomalitë e lindura të kockave dhe artikulacioneve. Rol të rëndësishëm .luajnë dhe qendrat hidrotermale (shih).

(Pa.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Fizioterapia


[cite]