Prodhimi industrial i fidanëve bazohet në shfrytëzimin e lëndëve të para të përpunuara industrialisht, shkallën e lartë të mekanizimit të proceseve të prodhimit dhe nivelin e lartë të automatizimit të kontrollit të mikroklimës në mjediset e prodhimit të fidanëve.Prodhimi industrial i fidanëve realizohet në kaseta, që përmbajnë 4000 qeliza individuale.Ndarja e kasetave në qeliza do të thotë që çdo fidani, individualisht, i sigurohet ujë dhe ushqim i mjaftueshëm.Prodhimi i fidanëve mund të realizohet në kaseta polisteroli ose plastike.Pavarësisht nga materiali që prodhohen, kasetat ndryshojnë në numrin, madhësinë dhe formën e qelizave të tyre.Kasetat prej polisteroli janë më të përdorshmet, kryesisht për shkak të kostos më të ulët.
Si rregull kasetat plastike shfrytëzohen për shumë mbjellje me radhë, por edhe kasetat prej polisteroli mund të shfrytëzohen për më shumë se një mbjellje.Në çdo rast, shfrytëzimi i përsëritur i kasetave duhet të shoqërohet me dezinfektimin paraprak të tyre me fungicide dhe insekticide me spektër të gjerë veprimi.Zhytja e tyre për disa sekonda në vaska të mbushura me tretësirë të përqendruar sulfat bakri (gur kali) 3% është metoda më e thjeshtë.Substrati që shfrytëzohet për mbushjen e kasetave njihet ndryshe edhe si komposto.Përmbajtja e plehrave në komposto është e rëndësishme dhe duhet të jenë në sasi të mjaftueshme të gjithë makro dhe mikroelementet.Megjithatë, rritësit e fidanëve kontrollojnë rritjen e fidanëve me anë të plehërimeve të lëngshme.Ndryshimi i përmbajtjes së azotit në komposto është mënyra kryesore e kontrollit të rritjes së fidanëve.Cilësia e farave është kërkesë thelbësore e prodhimit industrial të fidanëve.Farat krahas fuqisë së lartë mbirëse duhet të kenë energji të lartë mbirëse.Farat që përdoren duhet të kenë fuqi mbirëse jo më pak se 90%.Mbushja dhe mbjellja e kasetave bëhet me dorë ose e mekanizuar, nëpërmjet rrjedhjes së lirë të substratit në qeliza rrafsh me sipërfaqen e tyre.Pas mbushjes me substrat, kasetat shkunden lehtësisht, por nuk është e nevojshme që mbi substrat të ushtrohet forcë për ta ngjeshur.Ngjeshja e tij realizohet lehtësisht nëpërmjet ujitjeve të mëvonshme.Mbjellja e farave në kaseta e mekanizuar bëhet nëpërmjet makinave mbjellëse me vakum.Pas mbjelljes tavat mbulohen me një shtresë të hollë vermikuliti, pas të cilit makinat moderne të mbjelljes bëjnë ujitjen automatike të kasetave.Në rast të kundërt kjo ujitje duhet të bëhet me dorë, në formë shiu, por duke treguar kujdes që rryma e ujit të mos zbulojë, ose zhvendosë farat e mbjella.Ujitja duhet të jetë e tillë që mundësojë lagien e plotë dhe uniforme të substratit në të gjithë thellësinë e qelizave.Mbirja. Kasetat duhet të vendosen në dhomat e veçanta të para mbirjes në paleta (100-150 kaseta/paletë) deri sa të fillojë mbirja.
Temperatura në këto mjedise deri në shfaqjen e mbirjeve të para, mbahet në nivelin 25-28oC.Koha e qëndrimit të kasetave në këto mjedise zgjat 48-72orë, në varësi nga lloji i perimeve dhe energjia mbirëse e farave.Menjëherë me shfaqjen e fillesave të mbirjeve të para, kaseta dërgohen në serrë, ekspozohen në dritë të plotë, ndërkohë që temperatura e mjedisit zbret në 12-16 oC.Gjatë kohës së mbirjes kujdes i veçantë i duhet kushtuar mbajtjes së substratit në gjendje vazhdimisht të lagur.Për këtë qëllim në dhomën e parambirjes lagështia relative e ajrit ruhet 95-100%, ndërsa pas daljes së kasetave në serrë bëhen sipas nevojës ujitje periodike.Është shumë i rëndësishme që temperatura e mjedisit, në çdo pjesë të tij të jetë uniforme gjatë gjithë kohës. Mungesa e ndriçimit manifestohet me tej zgjatje dhe etiolim (zbardhje të kërcellit) të fidanëve, ndjeshmëri më të lartë ndaj sëmundjeve kërpudhore dhe zvogëlim të potencialeve të ardhshme prodhuese të bimëve.Krasitja ajrore e rrënjëve është parimi bazë i prodhimit të fidanëve në module.Kasetat mbështeten mbi tavolina, blloqe druri, tela të tendosur etj., në mënyrë që ato të jenë të izoluara nga toka me një shtresë ajri jo më pak se 5cm.Lartësia e preferuar nga toka është 10cm.Krasitja ajrore bazohet në faktin që majat e rrënjëve vdesin kur rrënjët dalin jashtë kasetave dhe bien në kontakt me ajrin dhe në këtë mënyrë favorizojnë formimin e një lëmshi rrënjash brenda foleve në kaseta.Vëllimi i vogël në të cilën shtrihet sistemi rrënjor dhe intensiteti i lartë i rritjes së fidanëve i bëjnë shpesh plehërimet të domosdoshme.Plehrat mund të shtohen nëpërmjet sistemit të ujitjes me anë të sistemeve të ndryshme të injektimit.Frekuenca e plehërimeve varet nga gjendja e bimëve, faza fenologjike dhe kushtet e motit.Elementi kryesor ushqyes që rregullon ritmin e rritjes së fidanëve është azoti.Gjatë ndërhyrjeve për të kontrolluar rritjen e fidanëve të përdoren doza të vogla, për të mos nxitur rritje vegjetative të tepruar apo të pakontrolluar të fidanëve.Ndërsa, përqendrimi i fosforit në tretësirë ushqyese të fidanëve duhet të jetë nga 15-40mg/litër dhe ai i potasit 100-200mg/litër.Temperaturat e larta në 3-4 orët e para pas lindjes së diellit, shkaktojnë tej zgjatje të fidanëve. Kjo mund të parandalohet duke mbajtur në orët e para të mëngjesit temperatura më të ultë se sa ato të natës, por jo më pak se 10oC.Regjimi i ujitjes është një tjetër mjet i fuqishëm për të kontrolluar rritjen e fidanëve.Shpeshtësia e ujitjeve, duke i dhënë përparësi ujitjeve në orët e mëngjesit dhe kufizimit në maksimum të ujitjeve në orët më të nxehta të ditës, apo në ditët më ndriçim të kufizuar ndikon pozitivisht në prodhimin e fidanëve me trup të shkurtër.Kalitja e fidanëve është termi që kupton përgatitjen përfundimtare të fidanëve për mbjellje në vendin e përhershëm.Ajo nënkupton zvogëlimin e ritmit të rritjes, shtimin e lëndës së thatë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së fidanit ndaj streseve të mundshme të mjedisit të ri ku do të zhvendoset fidani, zvogëlimi gradual i sasisë së ujit që përdoret për ujitje dhe i kohëzgjatjes së ujitjeve duke reduktuar intensitetin e rritjes së fidanëve.
- ulja e temperaturës deri në nivelin e temperaturës së mjedisit të kultivimit të bimëve duke mundësuar aklimatizimin e plotë të fidanëve përpara daljes së tyre në vendin e përhershëm.
- zvogëlimi apo ndërprerja e plotë e plehrave azotike përpara procesit të kalitjes duke rritur përmbajtjen e lëndës së thatë në bimë.
- Plehërimi para mbjelljes duke ndihmuar lidhjen e shpejtë të fidanëve me tokën.
- Kontrolli i sëmundjeve dhe i dëmtuesve duke dezinfektuar kasetat plastike duke i zhytur në solucione formaline, ndërkohë që tavat prej polisteroli mund të përpunohen me fungicide me bazë të gjerë veprimi.
Fidanë cilësorë konsiderohen ata që:
- Janë të pastër nga sëmundjet dhe dëmtuesit.
- Kanë gjethe dhe kërcej me ngjyrë të gjelbër të errët dhe përmbajtje të lartë klorofile.
- Kanë sistem rrënjor të zhvilluar mirë, pa simptoma kalbëzimi, apo tapëzimi.
- Kanë kërcell të fuqishëm dhe të zhvilluar mirë.
- Kanë sipërfaqe gjethore të mjaftueshme.
- Zotërojnë aftësi për tu lidhur shpejt me tokën pas trapiantimit dhe kanë potenciale të larta për rritje të shpejtë pas rrënjëzimit
Prodhimi i fidanëve me shartim është e përhapur te kultura e shalqirit.Kjo është mënyra më e mirë për të rritur rendimentin e bimëve dhe në mënyrë të veçantë sasinë e frutave të hershëm të tregtueshëm.Prodhimi i fidanëve të zakonshëm është i njëjtë me atë të kastravecit dhe të pjeprit dhe mund të realizohet për një periudhë 25-30 ditore.Prodhimi i fidanëve të shartuar ka filluar që nga fundi i viteve 20 të shekullit të kaluar.Të parët kanë qenë japonezët dhe koreanët të cilët kanë shartuar shalqinin mbi kungull.Epërsitë e shartimit janë:
- Vitalitet i bimëve të shartuara, fruta më të mëdhenj dhe rendiment më i lartë.
- Mundësi për të shfrytëzuar toka të paqarkulluara, të infektuara, me kripëzim të lartë, të ftohta dhe të rënda.
- Garanci për mbrojtjen e bimëve të shartuara nga sëmundje të rrezikshme, shkaktarët e të cilave jetojnë në tokë.
- Efektivitet i lartë i shfrytëzimit të pjellorisë natyrore të tokës dhe të plehrave kimike në veçanti.
Teknikat e shartimit janë të ndryshme: shartimi me afrim, me shpim në majë dhe me prerje tërthore në majë.Në rastin e parë nënshartesa dhe mbishartesa bashkohen me njëra tjetrën dhe bashkëjetojnë për disa ditë, por duke vazhduar të furnizohen me ujë dhe elementë ushqyes, kryesisht nga sistemi i tyre rrënjor.Shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet vetëm
pas formimit të plotë të kallusit në pikën e kontaktit me nënshartesën.Kjo praktikë jep më shumë siguri në suksesin e shartimit, kur kushtet e realizimit të tij nuk janë shumë të favorshme dhe për këtë arsye përdoret kryesisht nga prodhuesit e vegjël dhe amatorët.Në rastet e shartimit në majë, shkëputja e mbishartesës nga sistemi i saj rrënjor bëhet që në momentin e shartimit.Për të arritur suksesin e shartimit kërkohen kushte më të mira për shartimin dhe shumë më tepër njohuri dhe eksperiencë, por cilësia e fidanëve të prodhuar është më e mirë.Shartimi duhet të kryhet shpejt dhe duke përdorur për këtë qëllim vegla pune të përshtatshme dhe të mprehta.Prerjet gjatë shartimit duhet të jenë në kënde të tilla që të mundësojnë sipërfaqe sa më të madhe kontakti midis dy elementëve të shartimit dhe për pasojë më shumë mundësi për bashkimin e shpejtë të gypave përçues të nënshartesës me ato të mbishartesës.Ndërkohë, bashkimi i pjesëve të prera duhet të jetë i menjëhershëm për të mos lejuar tharjen e tyre.Pavarësisht nga teknika e shartimit, prodhimi i fidanëve të shartuar kalon në të njëjtat etapa: përgatitja e nënshartesës, përgatitja e mbishartesës, kallusimi e aklimatizimi dhe mbjellja në vendin e përhershëm.Kallusimi realizohet në mjedise të hijezuara, në temperaturë rreth 300C dhe me lagështi të lartë relative të ajrit 95-100%.Në kushte normale pak ditë pas shartimit, procesi i kallusimit përfundon dhe dy komponentët e shartimit sillen si një organizëm i vetëm.