Serrat dhe ngritja e tyre
Me hapësirë të mbrojtur nënkuptohet çdo hapësirë në të cilën mund të kultivohen bimët në periudhën e vitit kur kushtet e jashtme nuk lejojnë kultivimin e tyre.Prodhimi i perimeve në hapësira të mbrojtura është forma më intensive e prodhimit dhe ka rëndësi të madhe për ushqimin e njerëzve dhe për ekonominë e vendit.Sot për kultivimin e perimeve shfrytëzohen hapësira plotësisht të mbrojtura të cilat mundësojne furnizimin e tregut me perime të freskëta, gjatë gjithë vitit.Nga kushtet klimatike faktor kufizues gjatë prodhimit të perimeve në hapësira të mbrojtura, paraqiten nxehtësia dhe drita.Mjediset e mbrojtura japin mundësi më të madhe për shfrytëzimin optimal të sipërfaqeve gjatë gjithë vitit, me organizimin e prodhimit të më shumë se një kulture.Hapësirat e mbrojtura shfrytëzohen për prodhimin e fidanëve të perimeve për kultivim në mjedis të hapur dhe në vet hapësirën duke shkurtuar kohën e nevojshme për kultivimin e perimeve me vegjetacion të gjatë. Zgjedhja e vendit për ngritjen e serrave është moment kyç në tërë ciklin e prodhimit, para së gjithash sepse gabimet që mund të bëhen në këtë fazë është shumë vështirë që të përmirësohen, në fazat e mëvonshme gjatë ngritjes/ndërtimit të serrave.Gjatë përcaktimit të vendit për ngritjen e serrave para së gjithash duhet marrë parasysh tre faktor kryesor ekonomik, gjeografik dhe klimatik.Në zgjedhjen përfundimtare të zonave për kultivim në serra konsiderohen këto kritere:
- Përzgjidhja e zonës me rrezatimin diellor më të lartë në periudhën e dimrit.
- Përzgjidhja e zonës me vlerat më të larta të temperaturave minimale.
- Shmangia e zonës me temperature maksimale shumë të lartë.
- Ujrat nëntokësore të mos jenë pranë tokës.
- Afërsia me burimet energjetike, tregjet dhe rrugët.
- Afërsia me qëndrat e banuara.
- Ekspozicioni sa më i mirë i serrës ndaj dritës së drejtpërdrejtë diellore.
- Mospatja e objekteve të larta apo drunj të lartë nga ana jugore, të cilët bëjnë hije mbi serrë.
- Toka në të cilën ngrihen serrat të jetë me cilësi të mira fizike.
- Largësia së paku 1-5km larg nga ndotësit industrial.
Ekzistojnë dy tipe kryesore të serave:
- Serra të mbuluara me xham ose materiale plastike të ngurtësuara të cilat janë të bashkuara me konstruksionin e serës në mënyrë të atillë që deformimet apo zhvendosjet e mundshme të këtij konstruksioni, mund të shkaktojnë dëmtime në materialin mbulues.
- Serra të mbuluara me mbulesa plastike elastike të cilët janë të bashkuara me konstruksionin në mënyrë të atillë që deformimet apo zhvendosjet e mundshme të konstruksionittë serës nuk shkaktojnë dëmtime të materielit mbulues.
Serat e mbuluara me filma plastikë përfshijnë të gjithë tipet e mundshme të serave, forma dhe konstruksioni i të cilave manifeston një shkallë të lartë ngjashmërie me serrat me xham.Forma e çatisë së kësaj kategorie mund të jetë e harkuar ose me kulm që lejon krijimin e një zonë të pandërprerë kultivimi falë vendosjes së ulluqeve në lartësi të atillë që nuk pengon kalimin e lirë të punonjësve nën to.Aktualisht zgjerimi i sipërfaqeve të mbjella në serra tek ne është i orientuar në zgjerimin e sipërfaqeve të serrave të thjeshta për prodhimin e perimeve dhe të luleve me kërkesa të vogla për temperatur.Ndërtimi i tyre shpesh bëhet në mënyrë artizanale dhe duke shfrytëzuar edhe materiale rrethanore.Sistemi i mbulimit të serrave ka një rëndësi të jashtëzakonshme në kapacitetin prodhues të serrave.Ato përcaktojnë sasinë dhe tipin e rrezatimit diellor që mbërrin në mbulesën bimore brenda në serrë.Veç kësaj faktorë mikroklimatikë si lagështia ndikohen indirekt nga zgjedhja e materialit mbulue.Këta përfshijnë transmetimin e rrezatimit diellor dhe ruajtjen e energjisë si edhe mënyrën se si ato bashkëveprojnë me strukturën e serrës.Aftësia e mbulesës për të përcjellë dritën në gjatësi vale të përshtatshme për bimët është jashtëzakonisht e rëndësishme.Energjia diellore mund të transmetohet, reflektohet ose absorbohet nga atmosfera dhe mbulesat e serrave.Energjia që transmetohet është e nevojshme për procesin e fotosintezës, por vetëm një pjesë e saj (1-5%) përdoret nga bimët.Pjesa që mbetet absorbohet dhe riemetohet si radiacion termik (nxehtësi), sidoqoftë duke ngrohur ajrin e serrës.Ky “efekt serrë” është rezultati i mirëpritur i përshkueshmërisë së energjisë së dritës në një ambient të mbyllur.Në treg ekzistojnë materiale mbuluese me mundësi shfrytëzimi nga 1- 6 ose më shumë cikël prodhimi.Tendenca e përgjithshme është të rritet jetëgjatësia natyrore e fletëve plastike, sidomos kur ato përdoren për mbulimin e serrave.Mjediset e mbrojtura, të cilat shfrytëzohen në perimtari, mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga foletë e mbuluara, lehët e nxehta për prodhimin e fidanit e deri tek objektet më të përsosura, siç janë serrat prej xhami.Klasifikimi i tyre mund të bëhet në bazë të karakteristikave të ndryshme siç janë; për nga pamja e jashtme, ndërtimi, si dhe drejtimi i prodhimtarisë.Një serrë është perfekte nëse vlerat e përcaktuara të temperaturës dhe faktorëve të tjerë të mjedisit, mund të ruhen në të, pavarësisht cilat janë ato vlera në mjedisin jashtë saj.Në këto kushte, rritja dhe zhvillimi i bimëve është optimal, në kuptimin që ai përkon me objektivat e planifikuara nga ana e prodhuesit.Serrat janë të tipeve të ndryshme dhe dallohen nga forma, materiali për konstruksion dhe ai për mbulim.Ndërtimi i jashtëm i serrave nënkupton “objektin” e ngritur në konstruksione të ndryshme: prej druri, metali apo konstruksione plastike, dhe i mbuluar me material gjithashtu të ndryshëm (xhami, masë plastike), në të cilën njeriu nga brenda kontrollon dhe rregullon faktorët e rritjes, sipas kërkesave të bimëve.Ndërtimi i jashtëm i serrave kryesisht përfshinë: themelet, murin anësor, çatinë, dyert dhe dritaret, të cilat shërbejnë për ajrosjen e serrës.
Ndërtimi i brendshëm është i rëndësishëm pasin nga ky varet edhe funksionimi i serrës.Ky ndërtim përfshinë:
Rrugët e përhershme dhe të përkohshme.Rrugët e përhershme janë të betonuara, kurse rrugët e përkohshme punohen pas vjeljes së perimeve dhe këto shfrytëzohen vetëm për t’u shërbyer bimëve gjatë kultivimit të tyre, ndërkaq pas largimit së kulturave, sipërfaqet e këtyre rrugëve punohen së bashku me sipërfaqet tjera.
Instalimi elektrik ka për qëllim të ndriçojë serrën në kohën kur bimët kanë nevojë për ndriçim plotësues dhe t’i vërë në lëvizje motorët e ndryshëm që përdoren në serrë.
Tavolinat ndërtohen nga materiale të ndryshme dhe dimensione të ndryshme.
Instalimi i ngrohjes është kusht paraprake gjatë prodhimtarisë së perimeve në serra sidomos gjatë periudhës dimërore.Pajisjet për ngrohje duhet të jenë të konstruktuara në atë mënyrë që të sigurojnë temperaturë optimale, pavarësisht nga ndryshimi i temperaturave në ambientin e jashtëm.Nga zgjedhja e sistemit për ngrohje dhe burimit për ngrohje varet në masë të madhe kostoja e prodhimtarisë në serrë.
Instalimi për ujë ka për qëllim qarkullimin e ujit për ngrohje dhe ujitjen e bimëve.
Hijezimi i ambienteve të mbrojtura zbatohet kur ka temperatura të larta në mjedisin e jashtëm dhe ndriçim intensiv, ku temperature në serra mund të jetë shumë e lartë sidomos në qershor-gusht.
Sistemi i ajrosjes bazohet në hapjen e dritareve me dorë apo në mënyrë të mekanizuar, të cilat në shumicën e rasteve lihen në çati, dhe në muret anësore të serës.Përmes ajrosjes së serrave bëhet jo vetëm rregullimi i temperaturës, por edhe i lagështisë relative të ajrit, si dhe i përmbajtjes së ajrit, sidomos përqendrimit të CO2.
Sistemi i ndriçimit aplikohet në orët e hershme të mëngjesit dhe në fillim të mbrëmjes. Në raste më të rralla edhe gjatë ditës kur ka vranësira apo mjegulla të dendura.Ndriçimi duhet ë bëhet në mënyrë uniforme dhe të përafrohet sa më shumë me ndriçimit natyral.
Konstruksioni për mbajtjen/mbështetjen e bimëve është i nevojshëm.Këto konstruksione mund të jenë në formë të rrjetës plastike, me tel në formë të sistemit spalir, ngjashëm me vreshtat, spago etj.Gjatë prodhimit të perimeve në mjedise të mbrojtura racionalizimi sa më i madh i prodhimtarisë është i rëndësishëm.Ky racionalizim mund të arrihet vetëm në kushte optimal teknike, mikroklimatike dhe agroteknike.Njohja e vetive biologjike të perimeve dhe disa veti specifike është e domosdoshme, pasi kanë të bëjnë me kushtet mikroklimatike në mjedise të mbrojtura, me planifikimin e kohës së vjeljes dhe me rendimentin.