Fiku Vendprejardhja e bimës së fikut është Azia e Vogël. Mendohet se. në fillim kjo bimë filloi të kultivohet në Arabinë Jugore dhe se, më pas, që këtej u përhap në vendet e tjera të Lindjes e të Perëndimit. Në vendin tonë, kultivohen varietete të ndryshme fiku, si p.sh. fiku patëllxhan, peshtanak. fiku cingull etj. Fruti i fikut, përveç se është shumë i pasur në lëndë sheqerore, përmban ne sasi të mirë elemente të tilla si fosfor, squfur, kalcium. hekur, potas e mangan si dhe vitamina A1, B1, B2 dhe C. Një dukuri shumë interesante është mënyra se si pllenohen lulet e fikut. Pllenimin e kryen një insekt që quhet blastofag, i cili përfshihet në rendin e insekteve himenoptere. ku bëjnë pjesë edhe bleta, grerëza etj. Takon që blastofagu futet në lulesën e fikut të egër, e cila ka zakonisht shumë lule mashkullore, të vendosura në formë kurore rreth e rrotull grykës së saj. Kur del nga gryka e kësaj lulese, blastofagu e ka trupin të mbuluar me pjalm. Duke kërkuar ushqim, ai shkon edhe në lulet e fiqve të butë dhe aty, në krezat e luleve femërore, lëshon pjalmin që mbart. Kështu kryhet kryqëzimi. Kjo që përshkruam tregon se, pranë fiqve të butë, për të realizuar pllenimin, duhet të mbjellim edhe fiq të egër.