FORTIFIKIMI


FORTIFIKIMI
✤ Masë e rëndësishme e përgatitjes xheniere të vendit për luftë që përfshin një tërësi objektesh të fortifikuara, të ndërtuara në të gjithë thellësinë e vendit, sipas një sistemi të caktuar për realizimin e konceptit strategjik të artit ushtarak. Në Shqipëri ruhen objekte fortifikuese shumë të lashta dhe të fuqishme, që flasin për mjeshtërinë e shfrytëzimit të terrenit dhe për një traditë të pasur në këtë fushë. Ndërtimi i objekteve të fortifikuara në Shqipëri fillon që në periudhën e neolitit, ndërsa përhapjen më të madhe F. e mori në periudhën e bronzit të vonë dhe në periudhën e hekurit, duke përdorur 3 tipe F.: me ledhe gurësh, me ledhe druri dhe me ledhe dheu.

F. gjatë periudhës antike (shek.IV p.e.r. -IV e.r.) karakterizohet nga qytetet e fortifikuara, kala (kështjella), kulla të veçuara dhe mure penguese. Në këtë periudhë në Shqipëri ndodheshin dhe u ndërtuan rreth 114 qendra të fortifikuara, nga të cilat 20 ishin qytete të fortifikuara. Në mesjetë lindi nevoja e zhvillimit të mëtejshëm të F. duke riparuar kalatë ekzistuese dhe duke ndërtuar disa të reja. Disa elemente fortifikimi si mashikullat, erkerët, hyrjet me kthesa etj. ishin para shek.IX. Me krijimin e shtetit shqiptar të Skënderbeut, F. mori tiparet e një sistemi të rregullt dhe të gjerë.

Gjatë periudhës së pashallëqeve (shek.XVIII-XIX) F. më të rëndësishme i kreu Ali pashë Tepelena që ndërtoi disa kala, duke përdorur në pjesën më të madhe’ mjeshtër shqiptarë, nën drejtimin e Petro Korçarit. Tiparet dalluese të F. në këtë periudhë ishin: rritja e trashësisë së mureve, mbizotërimi i formës poligonale të kullave, heqja dorë nga bedenat, format e rregullta gjeometrike të kalave, krijimi i mjediseve të brendshme të mbuluara, veshja e jashtme me gurë të latuar, trajtimi monumental i hyrjes etj.

Gjatë sundimit të A.Zogut F. jo vetëm nuk u zhvillua, por kjo traditë u la krejt pas dore. F. u përdor në luftime të veçanta gjatë Luftës ANÇ nga repartet e njësitë partizane. Ai përfaqësohet nga punime fushore në kushtet e luftës partizane.

F. në RPS të Shqipërisë nën kujdesin e PPSH u zhvillua e u përsos më tej në përshtatje me zhvillimin e Artit Ushtarak të Luftës Popullore dhe me ndërtimin socialist të vendit. F. kryhet sipas parimeve dhe kërkesave të AU të LP qysh në kohë paqeje, zhvillohet me ritëm më të lartë edhe gjatë kohës së veprimeve luftarake. (shih edhe: Kështjellat).

(P.Du.—M.Su.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Fortifikimi


[cite]