FOSILET
✤ Mbeturina të kafshëve dhe të bimëve të së kaluarës gjeologjike ose shenja të veprimtarisë së tyre jetësore, që ruhen në shtresat e shkëmbinjve sedimentarë në trajta e forma të ndryshme, dhe që studiohen nga paleontologjia (shih). Nëpërmjet F. ndiqet në kohë dhe në hapësirë zhvillimi i jetës në Tokë, vërtetohet zhvillimi evolucionar gradual i botës organike duke gjetur hallkat lidhëse që nga njësitë më të ulëta të botës bimore e shtazore e deri tek më të zhvilluarat. Me anë të F. përcaktohet mosha relative e shkëmbinjve, përfytyrohet e kaluara gjeologjike e pjesëve të veçanta të kores së Tokës dhe nxirren përfundime për kushtet e formimit të shkëmbinjve dhe të mineraleve me prejardhje sedimentare.
Në Shqipëri i është kushtuar kujdes i posaçëm mbledhjes, studimit dhe ruajtjes së F. krahas studimeve të shumta gjeologjike dhe paleontologjike. Janë përcaktuar shumë horizonte gjeologjike që përmbajnë F. që nga ato. të paleozoit (horizonte të ordovikianit, silurianit, devonianit e permianit) e deri tek horizontet e mesozoit e të kenozoit. Koleksionet e F. të Shqipërisë ruhen në tri qendrat kryesore të studimeve paleontologjike, në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Naftës e të Gazit në Fier, në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Gjeologjike, si dhe në Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave në Tiranë. Një koleksion i pasur i F. hë Shqipërisë është ekspozuar në Muzeumin e Shkencave të Natyrës (shih).
(S.Me.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Fosilet