Mbirja e farës Që fara të japë bimën e re duhet që ajo më parë të mbijë. Kur fara mbin, embrioni i saj formon dy si gonxhe të vogla, njëra prej të cilave është e drejtuar nga lart dhe tjetra nga poshtë. Gonxhja që është e drejtuar nga lart jep kërcellin e bimës së re ose atë që quhet pjesa mbitokësore e bimës. Gonxhja e drejtuar nga poshtë është rrënjëza fillestare e bimës së ardhshme që fillon të hapë rrugën në tokë. Mbirja e farës varet nga kushtet e mjedisit. Që një farë të mbijë, ka nevojë për ajër, për ujë e për ngrohtësi. Uji është tepër i nevojshëm për reaksionet biokimike që ndodhin në farë, dhe,. nga ana tjetër, duke e fryrë farën, ndihmon atë që të çajë mbështjelljen e saj, për të nxjerrë rrënjëzën dhe gonxhen e kërcellit. Edhe temperatura e mjedisit ka një rëndësi të veçantë: farat nuk mbijnë nëse temperatura e mjedisit nuk arrin e një madhësi të caktuar.