FUTBOLLI


FUTBOLLI
✤ Lojë sportive me d’y skuadra nga 11 veta në një fushë me dy porta, ku lojtarët përpiqen ta futin topin me këmbë ose me kokë e trup, por jo me dorë. Fusha është 100-110 x64-75 m. Loja bëhet në dy pjesë nga 45 min. Në Shqipëri ka filluar të luhet në shek.XX. Ndeshja e parë zyrtare është bërë më 1913 nga skuadra «Juventus» e Shkodrës me një skuadër të ushtrisë austro-hungareze. Pas Luftës I Botërore u ngritën një varg klubesh sportive, «Vllaznia» e Shkodrës më 1919. Kampionati i parë u zhvillua më 1930. Më 1932 u themelua «Federata Shqiptare e Futbollit», u pranua në Federatën Ndërkombëtare (FIFA) dhe është sot ndër anëtaret më të vjetra të saj. Gjatë Luftës ANÇ të rinjtë komunistë krijuan skuadrën «Shprefeja» nga bashkimi i «Shpresës» dhe «Rrufeja», si dhe shoqëri të tjera antifashiste. Pas Çlirimit është bërë sporti më popullor. Sot ka skuadra në të gjitha rrethet dhe klube sportive. Më 1968 u hap shkolla e mjeshtërisë sportive për F. Zhvillohet kampionati kombëtar çdo vit, i pari pas Çlirimit është organizuar më 1945; Kupa e Republikës që më 1948, kampionati i kategorisë II që më 1949. Veprimtaritë drejtohen nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Ekipet shqiptare marrin pjesë në kampionatin ballkanik, evropian dhe në eliminatoret e kampionatit botëror. Më 1946 ekipi kombëtar u shpall kampion ballkanik, ekipi «Shpresa» ka fituar dy herë kupën ballkanike. Më 1967 me ndeshjen në Tiranë 0:0 u eliminua nga kampionati evropian skuadra e Gjermanisë Federale, më 1965 me 1:1 u eliminua Irlanda e Veriut nga kampionati botëror.

(S.Dj.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Futbolli


[cite]