Ujërat e ndenjura

Disa lumenj përhapen e zënë vend në lugina të gjera me pjerrësi të ëmbël. Brigjet e tyre janë të ulëta, ndërsa shtretërit të gjerë. Lumi Misisipi, gjatë 1000 kilometrave të tij të fundit, është pikërisht një lumë i këtij tipi. . Kur shkrihet dëbora ose kur bien shira të mëdha, këta lumenj mund të furnizohen me një sasi uji më të madhe nga sa mund të mbajnë shtretërit e tyre. Atëherë uji i kapërcen brigjet dhe përmbyt fushat, zë rrugët dhe shemb shtëpitë, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme. Gjatë përmbytjeve lumi mund të shpërndajë sasi të mëdha rëre dhe balte, duke formuar fundërresa lymore, dhe mund të mbulojë plotësisht tokat rreth e rrotull. Një pjesë e materialeve të sjella mund të grumbullohet afër lumit duke formuar pirgje të gjata, të cilat shërbejnë si penda natyrore që në vërshimet e ardhshme e pengojnë daljen e ujërave nga shtrati. Lumi, kur vërshon, mund të krijojë një shtrat të ri. Kështu, për shembull, lumi Misisipi në Luiziana ka krijuar një rrjet të tërë kanalesh në vendet fushore. Gjatë stinës së shirave këto kanale ushqehen me ujë të rrjedhshëm, ndërsa gjatë stinëve të tjera thahen dhe lënë vetëm disa pellgje të vetmuara aty-këtu.

Kur lumi arrin në det ose në liqen, ai e humbet shpejtësinë dhe fillon t’i lërë në fund të shtratit materialet që mbart. Copërat më të rënda fundërrojnë të parat, kurse ato më të lehtat fundërrojnë të fundit. Grimcat më të imëta të argjilës dhe të mbeturinave bimore e shtazore, kaq të vogla sa janë pothuajse pa peshë, nuk fundërrojnë, përderisa uji nuk është ndalur fare. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në ndonjë gji të qetë ose në fundin e detit, disa kilometra larg grykëderdhjes. Kur materialet fundërrojnë në grykëderdhjen e lumit, rryma e dobët nuk ka më forcë t’i marrë me vete. Në këtë rast rrjedha e lumit ndahet në dy degë, çdonjëra prej të cilave çan rrugë drejt detit.

Kjo gjë mund të përsëritet për secilën nga të dyja degët dhe, duke vazhduar në këtë mënyrë, krijohet një rrjet kanalesh pak a shumë të ndërthurura. Secila degë shpie në det materialet që grumbullohen në fund dhe, në rast se deti nuk është shumë i thellë, formohet një fundërresë me trajtë konike. Tërësia e tokave të përfshira midis degëve merr emrin deltë, për shkak të ngjashmërisë së saj me formën e kësaj gërme greke. Bashkë me mbeturinat shkëmbore nëpër deltat e lumenjve grumbullohen edhe sasi të mëdha mbeturinash organike, të cilat e rrisin së tepërmi pjellorinë e tokave afër grykëderdhjes së lumenjve. Lumi Po është një nga lumenjtë që mbartin më shumë materiale. Është llogaritur se çdo vit delta e këtij lumi përparon në brendësi të detit Adriatik rreth 70 metra. Qyteti Adria, i cili në vitin 700 para erës sonë gjendej në breg të detit, sot ndodhet 25 kilometra larg tij.

Çdo vit Misisipi grumbullon në deltën e tij rreth 140 milionë tonë minerale të tretura, 400 milionë tonë rërë dhe baltë dhe 60 milionë tonë materiale shkëmbore. Po të kemi parasysh se sistemet e mëdha lumore, si ai i Misisipit, kanë një jetë prej miliona vjetësh, atëherë e kuptojmë mirë se ç’do të thotë shprehja «gërryerje e kontinenteve». Dhe të tilla sisteme lumore kanë të gjitha kontinentet, me përjashtim të Antarktidës. Delta e sotme e Misisipit është rezultat i punës që ka bërë lumi vetëm brenda disa mijëra vjetësh. Megjithatë, ajo hyn nëntë ose dhjetë kilometra në det. Disa mijëra vjet përfaqësojnë vetëm një çast në jetën e Misisipit. Ky rrjet i madh ka disa miliona vjet që ekziston dhe gjatë kësaj kohe e ka ndërruar disa herë shtratin në luginën në të cilën rrjedh. Gjatë periudhave të fundit të akullnajave ai mbartte akujt që merrte me vete nga Liqenet e Kripura dhe i çonte në Gjirin e Meksikës. Një herë e një kohë ai rridhte më shpejt dhe gërryente më shpejt sesa tani. Delta e tij e sotme filloi të formohej, pasi lumi kishte mbushur një gji të dikurshëm në atë vend ku sot ndodhet Luiziana. Ky shtet, pra, ia detyron ekzistencën e tij pikërisht lumit Misisipi.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]