GJELLËTARIA POPULLORE
✤ Gatesat që përdoren nga populli tradicionalisht. Brumërat, si: mëmëliga, trahani, bollguri, petët, roshnicat, përsheshë: haheshin zakonisht për mëngjes. Flija, pispilia. përvëlaku, llojet e shumta të lakrorëve dhe byrekëve, brushtulli me bulmet e vezë ose me perime të stinës (ndër të cilët dhallaniku, ajknori, petaniku etj.), të gatuar me miell gruri ose misri në tepsi e të pjekur zakonisht me saç, përbënin ushqimin e drekës gjatë tërë vitit në një pjesë të mirë të krahinave të vendit. Lloje të ndryshme petullash (petulla në plloçë, petulla të fshira. petulla në tigan) bëheshin sidomos kur kishte miq në shtëpi, ose përgatiteshin si dhurata kur shkohej për vizitë tek të afërmit.
Vend me rëndësi në ushqimin tradicional të popullit zinte bulmeti, si: djathërat e ndryshme, dhalli, kosi, gjiza, salca, maza etj. që përdoreshin të thjeshta ose në përzierje të ndryshme si p.sh. fërgesat. Yndyrnat më të njohura ishin gjalpi, vaji i ullinjve, dhjami i derrit ose i kafshëve të trasha. Edhe vezët përdoreshin shpesh në ushqimin e përditshëm.
Në stinën e dimrit konsumohej më fort mishi i lopës, i të imëtave dhe i derrit, në verë më fort mishi i shpendëve të oborrit. Në disa zona parapëlqehej mishi i qengjit dhe sidomos fërliku (mishi në hell). Të brendshmet e bagëtive të therura përdoreshin, sipas rastit, për të bërë çorbë, kukurec, llukanik etj. Në stina të caktuara, në disa zona përdorej për ushqim edhe mishi i gjahut të disa kafshëve e shpendëve, kërmijtë etj. Peshku zinte vend me rëndësi në ushqimin e banorëve të zonave pranë liqeneve, buzë kënetave e lumenjve dhe në bregdet. Peshku konsumohej edhe i tharë e i kripur, po ashtu edhe putargat.
Perimet më të njohura ishin: qepa, preshi, hudhra, bathët, bizelet, specat e domatet, lakra e bardhë, hithrat, nenet, spinaqi, pazia, laboti, lëpjeta dhe sidomos fasulja që ishte, në shumë krahina, një nga ushqimet kryesore. Patatja u përhap gjerë vetëm në shekullin tonë. Perimet konsumoheshin, sipas rastit, të freskëta, të ziera, të thara, të regjura etj. ose të kombinuara me oriz (si japraku) e brumëra të tjera (p.sh. lakrorët).
Pemët më të zakonshme ishin mollët, dardhët, qershitë, kumbullat, ftonjtë, arrat, gështenjat, lajthitë, thanat, bajamet, shegët, fiqtë e sidomos rrushi. Piqeshin në furrë mollët e ftonjtë; kumbullat e zeza thaheshin për pistile e oshaf, përgatiteshin si brumë p.sh. bukë-fiku, bukë-gështenjash, apo të shtypura mirë e të holluara me ujë si «qulli i arrave». Në zonat e ulëta vend me rëndësi zinte ulliri.
Pijet më të kërkuara ishin vera, mushti dhe rakia, por edhe salepi, çaji i malit, boza në disa zona. Deri në Luftën I Botërore mjalti, ashtu si vera, zinte ende vend nderi në ushqimin e fshatarësisë sonë. Ëmbëlsirat e përdorura për traditë në masat e gjera, në të kaluarën kanë qenë kuleçët e ndryshëm, bukëvalja, e matura, dredhaniku etj. Me kohë hynë në përdorim edhe shumë ëmbëlsira orientale (si disa lloje hallvash, revania, bakllavaja etj).). Vendin e ëmbëlsirave zinin edhe disa nënprodukte të rrushit si peltja, pekmezi, rehania, nardeni, apo thanaku që bëhej nga thanat etj. Sot një pjesë e gjellëve tradicionale ka dalë nga përdorimi i përditshëm, të tjera përdoren duke u gatuar sipas teknologjisë bashkëkohore.
(A.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjellëtaria Popullore