GJEOGRAFIA E BIMËVE
✤ Degë e botanikës që studion zhvillimin dhe shpërndarjen e botës bimore, ligjësitë që përcaktojnë formimin e areaieve të bimëve dhe bimësive, marrëdhëniet e bimëve me mjedisin rrethues. Në lidhje me Gj. e B. është zhvilluar gjeobotanika, një degë e re, që merret me studimin e shoqërimeve bimore (fitocenozave). Në Shqipëri rritet një florë e pasur dhe e përhapur sipas një rregullsie të caktuar, e kushtëzuar nga relievi i përthyer, nga gërshetimi i klimës mesdhetare me atë kontinentale, si dhe nga larmia e shkëmbinjve që ndëriojnë truallin.
Bimësia e Shqipërisë ndahet në dy plane shtrirjeje. Në shtrirjen horizontale ka dy pamje kryesore, që dallohen mirë. Vija ndarëse shkon nga Shkodra në Leskovik. Në anën VL të këtij boshti mbizotëron bimësia e Evropës Qendrore, që shoqërohet me lloje gati mesdhetare; ndërsa në anën JP dhe P zotëron bimësia karakteristike mesdhetare.
Në përhapjen vertikalisht dallohen 4 zona fitogjeografike me florën e tyre karakteristike: 1. Zona e shkurreve mesdhetare që në Shqipërinë e V e të Mesme arrin në lartësinë 400-600 m dhe në J 800-1000 m. 2. Zona e dushkut, që në Shqipërinë e V e të Mesme shtrihet në lartësitë 700-900 m, në J deri në 1200 m. 3. Zona e ahut, që në Shqipërinë e V fillon nga 700 m dhe arrin deri rreth 2000 m, ndërsa në Shqipërinë e Mesme 900-1800 m. 4. Zona e kullotave alpine, që shtrihet mbi zonën e ahut nga 1800 deri 2700 m. Pas Çlirimit janë kryer disa studime gjeobotanike dhe Gj. e B. jepet si disiplinë mësimore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. (Mu.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjeografia E Bimëve