GJITARËT
✤ (Mammalia). Kafshë kërbishtore që i ushqejnë të vegjlit e tyre me qumështin e prodhuar nga disa gjëndra të veçanta, kanë trup të mbuluar me qime, me temp. të qëndrueshme dhe gjak të kuq e të ngrohtë. Kanë hemisfera të trurit dhe shqisa veçanërisht të nuhaturit e të shijuarit më të zhvilluar se kërbishtorët e tjerë, kafkë me 2 kandile, dhëmbë të diferencuar, mushkëri alveolare, rruaza të kuqe të rrumbullakëta e pa bërthamë dhe zgavër të trupit të ndarë në pjesë me anë të diafragmës. Të vegjlit zhvillohen në trupin e mëmës. Gj. e kanë prejardhjen nga zvarranikët e lashtë (teriodontët). Sot njihen rreth 3200 lloje, të cilat ndahen në shumë rende të përshtatura në mjedise të ndryshme, siç janë rendi i monotrematëve dhe rendi i marsupialëve që janë Gj. më të vjetër, cetacetë, pinipedët e sirenienët që janë Gj. të ujit; lakurlqët e natës që janë Gj. fluturues; barngrënësit e mëdhenj si ripërtypësit, elefantët; majmunët Gj. të drurëve etj.
Në Shqipëri jetojnë mjaft lloje që u përkasin rendeve të insektengrënësve (urithi, iriqi etj.), të lakuriqëve të natës, brejtësve (miu, gjeri, ketri etj.), çiftthundrakëve (dhia e egër, kaprolli etj.), mishngrënësve (dhelpra, çakalli, ariu, shqarthi etj.), etj. Gj. ka rëndësi të madhe ekonomike, prej tyre me anë të zbutjes kanë dalë kafshët shtëpiake nga të cilat merret mish, lëkurë, lesh etj., të tjerë ndihmojnë në zhdukjen e shumë dëmtuesve (insekte, brejtës etj.). Por ndërmjet Gj. ka edhe dëmtues ose mbartës të parazitëve dhe të shkaktarëve të sëmundjeve ‘të ndryshme. ‘Në vendin tonë gjitarë si derri i egër, lepuri, dhelpra, kunadhja, zardafi, baldosa, qelbësi etj. gjuhen për vlerat e tyre ekonomike, ndërsa të tjerë më të rrallë, si macja e egër, rrëqebulli, dhia e egër, kaprolli. etj. mbrohen me ligj. (I. Ze. -L. Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjitarët