GRUDA
✤ Rrethinë e banuar kryesisht nga shqiptarët në trojet e tyre në Mal të Zi (Jugosllavi). Shtrihet në të dy anët e luginës së poshtme të Cemit (midis fshatrave Selishtë në VL dhe Vllanë në JP), ndërmjet zonës së Kuçit (Fundnat) e Triepshit në V, e Hotit në J. Ndërtohet nga gëlqerorë e dolomitë të mesozoit. Pjesa VL formohet nga një reliev kryesisht kodrinor karstik me lartësi 300-800 m, kurse pjesa JP nga relievi’ fushor (në P të Deçiqit). Ndryshimet e menjëhershme të relievit këtu i formon lugina e Cemit (në formë kanioni) me Sukën e Grudës (1212 m) dhe Deçiqin (649 m). Klima është relativisht e ashpër, me dimër të ftohtë e të lagësht, dhe me verë të thatë e të nxehtë. I vetmi lumë që kalon këtu është Cemi (dega e majtë e Moraçes) me rrjedhje tipike karstike. Bimësia është e varfër dhe përfaqësohet gati tërësisht nga zona e dushkut. Janë të zhvilluara bujqësia (misri, gruri, thekra, elbi, patatja) dhe blegtoria (delja, lopa).

Si njësi etnografike G. bën pjesë në Malësinë e Madhe (shih). G. është dalluar në luftën për liri e pavarësi si më 1880 kundër shovinistëve malazez, ashtu edhe më 1910-1911 kundër Turqisë (shih Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës). Një pjesë e popullsisë, pas caktimit të kufijve më 1913, u shpërngul dhe u vendos në fshatin Gruda e re (shih) të Shkodrës. Qendrat kryesore të banuara në G. janë Tuzi, Dinosha, Pikala, Kësheva, Shipshaniku, Llofka, Grykëlluka, Selishta, Mileshi etj.

(Gj.G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gruda


[cite]