GJENDRAT MBIVESHKORE

Një hormon i hipofizës kontrollon dy gjëndra të tjera endokrine që ndodhen mbi veshkat e që quhen gjëndra mbiveshkore. Këto gjëndra kanë formën e një kapsuleje dhe janë të mbështjella nga jashtë nga një lëndë kortikale. Pjesa e jashtme e këtyre gjëndrave, d.m.th. pjesa kortikale, dhe ajo e brendshme, lënda palcore, kryejnë detyra të ndryshme. Hormonet që prodhojnë secila nga këto pjesë, kontrollojnë organe e funksione të rëndësishme të organizmit.

Hormonet që prodhon pjesa kortikale, kontrollojnë funksione të tilla të rëndësishme si, p.sh., përvetësimin e proteinave, të karbohidrateve dhe të yndyrave nga organizmi, sasinë e ujit dhe të kripërave që duhet të përmbajë trupi i njeriut; ato ndikojnë edhe në organet që rregullojnë dhe formojnë gjakun dhe lëkurën.

Ndërsa pjesa e brendshme palcore e këtyre gjëndrave prodhon një hormon që njihet me emrin adrenalinë. Adrenalina kryen funksione të rëndësishme, ajo ndikon në rregullimin e presionit të gjakut, në temperaturën e trupit, në veprimtarinë e zemrës etj. Adrenalina sot prodhohet edhe artificialisht në laborator dhe përdoret në mjekësi. Gjëndrat mbiveshkore kryejnë pra, detyra tepër të rëndësishme. Nëse, për shkak të ndonjë sëmundjeje, gjëndrat mbiveshkore shkatërrohen, lëkura e të sëmurit fillon të marrë një ngjyrë të bronztë, por dhe vetë jeta e tij bëhet e pamundur.

Trupi — Ynë

[cite]