GJENDRAT SEKSUALE
Gjëndrat seksuale (gjinore) ndodhen në fundin e barkut dhe janë të ndryshme në të dyja gjinitë: të mashkullit dhe të femrës. Ato janë gjëndra me sekretim të brendshëm, sepse prodhojnë disa hormone që i sekretojnë drejtpërdrejt në gjak, por edhe me sekretim të jashtëm, sepse prodhojnë disa qeliza, të cilat, nëpërmjet disa kanaleve, i nxjerrin jashtë. Gjëndrat gjinore kontrollojnë dhe rregullojnë procesin e riprodhimit, që është një nga karakteristikat thelbësore të qenieve të gjalla.
Një nga funksionet kryesore të gjëndrave gjinore është prodhimi i qelizave seksuale. Në gjëndrat gjinore femërore prodhohen qelizat seksuale femërore, që quhen ovula, kurse tek ato mashkulloret prodhohen qelizat seksuale mashkullore, që quhen spermatozoide. Këto qeliza, që quhen gameta, ndryshojnë nga qelizat e tjera të trupit të njeriut. Në fakt të gjitha qelizat e trupit të njeriut kanë në bërthamën e tyre nga 46 kromozome, ndërsa qelizat seksuale kanë gjysmën e tyre, pra vetëm nga 23 kromozome. Nga pllenimi (fekondimi) i dy qelizave seksuale formohet një qelizë e re, që quhet zigotë dhe që ka 46 kromozome, sa shuma e kromozomeve të të dyja qelizave. Zigota është qeliza embrionale, nga e cila formohet organizmi i ri.