Yjtë në qiell janë të shumtë dhe formojnë figura të ndryshme. Secilit grup yjsh njerëzit i kanë vënë nga një emër, sipas figurës që të kujton vendosja e tyre në qiell. Këtë e kanë bërë për t’i njohur dhe për t’i dalluar më lehtë. Kështu, për shembull, njihen yjësia e Qenit, ajo e Akrepit, e Demit etj. Këto grupe yjsh quhen yjësi. Me sy mund të dallojmë në qiell rreth dy mijë yj. Por me ndihmën e teleskopëve mund të dallohet një numër tepër i madh. Në një natë të kthjellët na duket sikur yjtë zhvendosen në qiell, por kjo vjen ngaqë Toka rrotullohet rreth boshtit të saj. Në të vërtetë yjtë lëvizin, por ata ruajnë një vendosje të pandryshuar përkundrejt njëri-tjetrit. Secili grup yjsh ka marrë një emër nga astronomët. Disa yjësi mund të shihen vetëm nga njëri gjysmërruzull i Tokës, si për shembull Kryqi i Jugut, që shikohet vetëm nga gjysmërruzulli jugor, ose yjësia e Arushës së Vogël, ku ndodhet edhe Ylli Polar, që shikohet vetëm nga gjysmërruzulli verior i Tokës.
[cite]