HARTAT GJEOGRAFIKE
✤ Harta të sipërfaqes së Tokës, që paraqesin vendosjen, gjendjen dhe lidhjet e objekteve dhe dukurive të natyrës e të shoqërisë. Ndahen sipas territorit që përfshijnë (të botës, të një kontinenti apo të një shteti), sipas përmbajtjes (të përgjithshme ose tematike), sipas shkallës (shkallëmëdha, shkallëmesme e shkallëvogla), sipas paracaktimit (mësimore, shkencore, turistike) etj. H. Gj. të para të trevave shqiptare janë përpiluar para e. r., por ishin me shkallë të vogël dhe pa hollësira. Më e njohura nga H. Gj. të antikitetit është ajo e Ptolemeut (shih) në shek. II e. r., që shquhet për saktësi, shkallë më të madhe, përmbajtje më të hollësishme. Harta romake e rrugëve (rreth vitit 250 e. r.) paraqet mjaft qendra banimi, kala, pyje, si dhe rrugët. Ndër qendrat e banuara paraqiten Kopliku, Shkodra, Lezha, Ishmi, Puka, Durrësi, Vlora, Peqini, Plloça, Finiqi, Butrinti, Qukësi etj. Në mesjetën e hershme trevat shqiptare janë paraqitur edhe në hartën e gjeografit arab idriz, më 1154 etj.
H. Gj. më të shumta, që paraqesin trevat shqiptare, u përpiluan në shek. XVI. Ndër to përmenden hartat e Piri Reisit (Reys, më 1529), Gastaldit (më 1560), dhe Komotios (Comotio, më 1571). Në shek. XV-XVIII u përpiluan më pak H. Gj. të trevave shqiptare dhe pa ndonjë përmirësim të dukshëm në përmbajtje, kundrejt hartave më të vjetra. Më interesantet ndër to janë H. Gj. e Kantelit (Cantelli, më 1689), ajo e Koronelit (Coronell, më 1696 dhe e Zates (Zatta, më 1799).
Në shek. XIX në Shqipëri erdhën gjeografë nga shtete të ndryshme të Evropës, disa nga të cilët botuan edhe H. Gj. të trevave shqiptare. Ndërmjet tyre përmenden harta e Palmës (Palma, më 1811), Lapiesë (Lapiër, më 1822), Vaisit (Veiss, më 1829), Hanit (Hahn, më 1853), Shedës (Sheda, më 1869), Kipertit (Kiepert, më 1870) etj., të cilat, me gjithë përmirësimet në krahasim me H. Gj. të mëparshme kishin ende mjaft mangësi, që u plotësuan në hartën e parë të plotë të trevave shqiptare, botuar nga Instituti Gjeografik i Vienës më 1876. Një H. Gj. më e plotë dhe më e hollësishme e Shqipërisë, ishte ajo e H. Lui (H. Louis, më 1929) në shkallë 1: 200.000. Po para Çlirimit u përpiluan edhe nga autorë shqiptarë e u botuan kryesisht jashtë vendit disa H. Gj. të Shqipërisë, me përmbajtje më të plotë, më të përpiktë e më bashkëkohore, në krahasim me hartat me të njëjtën shkallë e tematikë të autorëve të huaj. Pas Çlirimit, me zhvillimin e hartografisë (shih) janë përpiluar dhe botuar H. Gj. të përgjithshme e tematike, që përfshijnë tërë territorin e RPSSH ose pjesë të veçanta të tij, me shkallë të ndryshme. Janë përpiluar e botuar edhe atlase me harta të llojeve të ndryshme.
(A. She.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hartat Gjeografike