HARTAT GJEOLOGJIKE


HARTAT GJEOLOGJIKE
✤ Harta në shkallë të ndryshme, që pasqyrojnë ndërtimin gjeologjik të pjesës së sipërme të kores së Tokës në një trevë të caktuar dhe orientojnë kërkimin e mineraleve të dobishme. Ndahen në H. Gj. të mirëfillta, që paraqesin moshën, përbërjen, strukturën dhe kushtet e shtrirjes së shkëmbinjve dhe H. Gj. të veçanta, si harta të mineraleve të dobishme, harta tektonike, paleogjeografike, metalogjenike, hidrogjeologjike, inxhiniero-gjeologjike etj. Që në studimet e para gjeologjike të kryera nga gjeologë të huaj në Shqipëri janë përpiluar edhe H. Gj. të veçanta, që u shërbyen shoqërive kapitaliste për shfrytëzimin e nëntokës sonë. Para Çlirimit u përpilua edhe H. Gj. përgjithësuese në shkallë 1:200.000 (E. Novak, 1929).

Pas Çlirimit filluan të përpilohen H. Gj. në shkallë të ndryshme, sidomos për zonat më me perspektivë për kërkimin e mineraleve të dobishme. Hartat e punuara nga specialistë të huaj deri më 1960 nuk i pasqyronin drejt perspektivat mineralmbajtëse të vendit. Gjeologët shqiptarë kanë përpiluar me kritere shkeneore H. Gj. në shkallë 1:25.000, 1:50.000 e më të hollësishme për territorin e vendit. Është përpiluar edhe Harta gjeologjike e Shqipërisë (shfh) në shkallë 1:200.000.

(Va. Me.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hartat Gjeologjike


[cite]