RRETHI I GJIROKASTRES


RRETHI I GJIROKASTRES
✤ Shtrihet në J të Shqipërisë, në Krahinën Malore Jugore. Sipërfaqja 1137 kmz, popullsia 61.200. Përfshin: 2 qytete, Gjirokastra qendër e rrethit dhe Libohova, 87 fshatra të grupuar në 10 fshatra të bashkuara. Dendësia mesatare 53,8 banorë/kmz. Në qytet banon 38,9% e popullsisë, në fshat 61.1%. Rritja natyrore 1,57%.

Mbizotëron relievi malor e kodrinor. Lartësia mesatare 829 m. Zonat më të larta janë Mali i Gjerë (1887 m), Bureto-Lunxhëri (2155), Dhëmbeli e Nemërçka ku maja më e lartë «Drita» (Papingu) 2485 m, është edhe pika më e lartë e Krahinës Malore J. Fushat shtrihen përgjatë luginës së Drinos, në rrjedhën e poshtme të Nimicës e Kardhiqit. Gjenden edhe luginat ndërmalore e të larta të Zagorisë e Pogonit. Lumenjtë: Drino, Suha, Nimica dhe i Kardhiqit (Belica). Klima është mesdhetare kodrinore e malore. Temp. mesatare vjetore 14°, mesatarja e janarit 5,1° dhe e gushtit 24°C. Temp. absolute më e ulët —10,1°, më e larta 42,2°C. Sasia mesatare vjetore e reshjeve 1858 mm. Pjesa më e madhe bie në dimër (753 mm) dhe në vjeshtë (643 mm). Erërat lokale karakteristike janë: Tepelena (Dhjakonaria), Janina, e Çajupit, Muzina. Pasuritë minerare: ujërat minerale të Glinës, fosforitet, gurët gëlqerorë. Tokat bujqësore janë kryesisht të hinjta kafe livadhore (23%), të hinjta kafe malore (22%), dhe livadhore aluvionale (26%). Pyjet e shkurret zënë 22% të sipërfaqes, kullotat 39%. Burimet nëntokësore: Viroi, Gura e Picarit, Hosi, Zhepa, Manxifa, Gura e Këllezit, burimet e Tranushishtës. Rr. i Gj. është rreth bujqësor-industrial. Më 1982 prodhimi industrial ishte mbi 2,5 herë më madh se i gjithë vendit më 1938 dhe rreth 4 herë më i madh se më 1960. Industria zë 57% të prodhimit të përgjithshëm industrial e bujqësor. Është zhvilluar me ritme të shpejta gjatë viteve të pushtetit popullor dhe janë ngritur disa vepra të rëndësishme. Peshën kryesore e zë ind. ushqimore 42%. Degët e tjera kryesore: ind. e veshmbathjes 35% me kompleksin e trikotazhit «Bule Naipi» e Fabrikën e lëkurëve e këpucëve, ind. mekanike 11,7% me Uzinën metalike e Uzinën rajonale bujqësore.

Bujqësia jep 43% të prodhimit të përgjithshëm industrial e bujqësor. Ka 8 koop. të bashkuara, KTL e 2 NB. Kolektivizimi i bujqësisë filloi më 1947 dhe përfundoi më 24 prill 1958. Sipërfaqja e punueshme zë rreth 17,1% të sipërfaqes së rrethit, nga e cila 81,4% e zënë bimët e arave, 14,6% pemishtet, 3,5% vreshtat, 0,5% ullishtet. Më 1938 ujiteshin 2100 ha, soi ujiten 12200 ha. Ujëmbledhësit më të rëndësishëm janë: i Doftisë me aftësi ujitëse 4200 ha, i Pepelit, i Sheperit, i Qestoratit, i Çatistës, i Bodrishtës. Kulturat kryesore bujqësore: gruri (29,1% të sipërfaqes së punueshme), misri (13%), duhani, perimet, tagjirat e foragjeret (22,1%). Më 1983 mesatarisht u morën 31 kv/ha grurë, në zonën fushore 41 kv/ha grurë, 43,6 kv/ha misër. Lugina e Drinos është e përmendur për prodhimin e duhanit, Lunxhëria për frutikulturën, Zagoria për fasulen. Është e zhvilluar blegtoria, ku mbizotërojnë bagëtitë e imëta e gjedhi. Gjedhi, derri e dhentë rriten më shumë në luginën e Drinos, në zonat kodrinore rriten dhentë e në ato malore dhentë e dhitë. Në Luginën e Drinos është ngritur kompleksi i shpendëve. Rr. i Gj. është i njohur për traditën e bletarisë. Rrugët kryesore janë Gjirokastër-Tepelenë, Gjirokastër-Përmet, Gjirokastër-Sarandë.

Në Rr. e Gj. përfshihen krahinat etnografike: Dropulli, Pogoni, Rrëza e Libohovës, Zagoria, Lunxhëria, pjesërisht Kurveleshi. Rrethi ka tradita për punimin e drurit e të gurit, përpunimin e bulmetit e duhanit, prodhimin e rakisë. Tipi i banesës në fshat është i thjeshtë, dykatësh, në qytet banesat qytetare janë me çardak, të rrethuara shpesh me mure të larta. Gratë mbanin veshje të zbukuruara, përmenden kostumi lunxhe dhe i Dropullit. Burrat mbanin poture, me kollça, ose edhe fustanellë me jelek e peshlli, këpucë me xhufka. Në kokë vinin kallpak të zi ose qeleshe me majë. Vallet karakteristike janë në formë vargu, të kënduara dhe të shoqëruara me saze.

Rr. i Gj. ka 9 shkolla të mesme, ndër to edhe një shkollë me degë të gjuhës greke, 52 shkolla 8-vjeçare dhe 110 kopshte fëmijësh. Janë ngritur 83 muze, nga të cilët 61 në fshat. Botohen gazetat PaTaroja (shih) dhe Llaiko vima (shih), ka radiostacion lokal në Gjirokastër. Në Rr. e Gj. ka 3 spitale, 15 reparte e shtëpi lindjeje, 95 ambulanca, 22 klinika dentare, 10 farmaci, 1 laborator bakteriologjik.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Rrethi I Gjirokastres


[cite]