HIDJA
✤ (Zizyphus jujuba Mill). Shkurre ose dru frutor i vogël i familjes pjerëzore (Rhamnaceae) e lartë deri 8 m dhe e trashë deri 60 cm, me degë zigzage, me gjethe të këmbyera të rënshme, të vogla, vezake me dhëmbë të vegjël, me ndajgjethëzat gjembake, me lule të vogla të verdha të rreshtuara në vile përfund gjetheve. Lulëzon në maj-qershor. Bën frut një bakë 1.5-3 cm vezake me ngjyrë kafe të kuqërremtë që piqet në shtator-tetor. H. e ka prejardhjen nga Kina. Në Shqipëri njihet që nga lashtësia, ndeshet në të gjitha krahinat me klimë të ngrohtë si në Vlorë, Berat, Oelvinë, Krujë, Lezhë, Shkodër etj. Pëlqen toka të lehta, të thella, të freskëta e pjellore. H. shumëzohet me farë ose me fidanë. Kokrrat e H. hahen të freskëta ose të thata, me lëngun e tyre përgatitet një lloj shurupi që përdoret në bronkitet. Druja e H. me zemër të kuqe në gështenjë dhe me blanë të verdhë, është e rën dë, e fortë dhe merr lustër të mirë, prandaj përdoret për të gdhendur sende zbukurimi. (R.O.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hidja


[cite]