GRUPI KOMUNIST I SHKODRËS


GRUPI KOMUNIST I SHKODRËS
✤ (1934-1941). Një nga grupet kryesore të Lëvizjes Komuniste Shqiptare. U ngrit në Shkodër më 1934, u zgjerua pastaj me celula të reja e grupe simpatizantësh duke u shtrirë në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë etj. Për drejtimin e organizatave u krijuan komitete qarkore në Shkodër dhe në Tiranë. Në krye të punës së G.K.Sh. në Tiranë milituan Vasil Shanto (shih) dhe Qemal Stafa (shih). Veprimtaria e grupit me masat u kufizua në rrethet shkollore, zejtare dhe në disa qendra punëtore. Arritje të rëndësishme të tij ishin krijimi i organizatës së rinisë në Shkodër e në Tiranë dhe formimi i shoqërisë së punëtorëve marangozë në Tiranë.

G.K.Sh. nuk kishte vijë të qartë politike, as disiplinë e konspiracion të shëndoshë në radhët e tij. Ai më shumë kujdes i kushtonte përgatitjes teorike sesa punës me masat. Udhëheqësit e grupit Zef Mala e Niko Xoxi zhvilluan veprimtari antimarksiste e përçarëse në lëvizjen komuniste. Ata iu kundërvunë orientimeve të Kominternit për krijimin e frontit popullor dhe vijës së re që shtronte ai, dhe propaganduan «teorinë e ruajtjes së kuadrove» që pengonte hedhjen e komunistëve në aksione dhe lidhjen e tyre me masat. Në revistën e vet ilegale «Buletini Jeshilx (shih) udhëheqja e grupit përhapi pikëpamjet e saj të gabuara se Shqipëria ishte një vend pa proletariat, pa klasa të diferencuara e pa luftë klasash, se zejtarët ishin shtresa më revolucionare etj. Me këto pikëpamje ata e thelluan konfuzionin ideologjik në radhët e anëtarëve të grupit, penguan seriozisht punën e tij me masat, ashpërsuan mosmarrëveshjet ideologjike e politike me Grupin Komunist të Korçës. Në kundërshtim dhe në luftë me pikëpamjet trockiste të krerëve, elementët e shëndoshë të G.K.Sh. u hodhën në veprimtari revolucionare, demaskuan regjimin zogist e imperializmin fashist, përhapën idetë komuniste nëpërmjet botimit të një varg veprash të klasikëve të marksizëm-leninizmit. Në shkurt 1939, si pasojë e tradhtisë së krerëve trockistë Z.Mala e N.Xoxi, 73 komunistë të G.K.Sh. dolën para gjyqit zogist. Komunistët e vendosur si Qemal Stafa, Vasil Shanto etj., demaskuan para gjyqit regjimin shtypës të Zogut dhe deklaruan se komunizmi do të shpëtonte masën e punëtorëve që ishin të shtypur. Gjyqi dënoi 56 veta me dënime të ndryshme. Megjithëse u godit rëndë, G.K.Sh. si dhe ai i Korçës në prag të agresionit fashist të vendit, u vu në krye të demonstratave antifashiste dhe pas pushtimit fashist u mobilizua për ngritjen e popullit në luftën çlirimtare. Elementët revolucionarë të G.K.Sh. me Vasil Shanton e Qemal Stafën në krye u bënë mbështetja e shokut Enver Hoxha për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

(V.K.—N.F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Grupi Komunist I Shkodrës


[cite]