HOXHË KADRIU
✤ (Kadri Prishtina, 1878-1925). Jurisr e burrë shteti, atdhetar. Lindi në Prishtinë, Arsimin e lartë e mori në Stamboll për pedagogji e drejtësi. Atje u burgos për veprimtari patriotike. Më 1914 u kthye në atdhe dhe veproi në dobi të vendit. Ishte një nga themeluesit e Komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» (shih) të krijuar në Shkodër më 7 nëntor 1918 dhe kryetar i tij. Në bashkëpunim me B. Currin, H. Prishtinën etj. zhvilloi një veprimtari të gjerë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypura nga serbomëdhenjtë. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh ministër i Drejtësisë dhe më 1921 nënkryetar i parlamentit shqiptar. Në qeverinë e Hasan Prishtinës të dhjetorit 1921 u caktua përsëri ministër i Drejtësisë. U bë një nga figurat e dalluara të lëvizjes demokratike shqiptare. Ishte kundërshtar i hapur i A. Zogut. Më 1922-1923 mërgoi në Austri. Pas kthimit prej andej botoi në Shkodër më 1923 revistën «Udha e së vërtetës». Ushtroi për një kohë profesionin e avokatit dhe ishte ndër të parët që vuri themelet e jurisprudencës shqiptare.
(Y. S.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hoxhë Kadriu
[cite]