HOXHA HYSEN
✤ (1865-1934). Atdhetar e veprimtar i dalluar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Lindi në Gjirokastër në një familje me tradita patriotike. Mori pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, ishte kryetar i komitetit «Për lirinë e Shqipërisë» në Gjirokastër, bashkëpunëtor i Bajo Topullit dhe i luftëtarëve të tjerë të çetave të armatosura.
Pas shpalljes së Kushtetutës apo Hyrjetit më 1908 i kushtohet tërësisht e haptazi luftës për përhapjen e shkollave e të shkrimit shqip; ishte një nga nismëtarët e çeljes së shkollës së parë shqipe «Liria» në Gjirokastër (1908), një nga themeluesit dhe më pas kryetar i klubit kombëtar «Drita» po në atë qytet. Mbrojti me vendosmëri alfabetin shqip të miratuar në Kongresin e Manastirit kundër reaksionit xhonturk dhe atij klerikal. Në periudhën e kryengritjeve të mëdha të 1910-1912 u vu në krye të atdhetarëve gjirokastritë kundër regjimit xhonturk, ishte një nga organizatorët e Kuvendit në Manastirin e Cepos në korrik 1911 dhe së bashku me çetën e studentëve të kryesuar nga Dervish Hima (shih) hyri në qytetin e Gjirokastrës.
Si përfaqësues i popullsisë së Gjirokastrës mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës që ahpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. U vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit dhe i ngarkuar me detyrën e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës punoi për shtrirjen e pushtetit qeveritar në mbarë Shqipërinë. Dha ndihmën e tij në organizimin e qëndresës së popullsisë së Gjirokastrës kundër shovinistëve grekë që e pushtuan atë në mars 1913. Gjatë pushtimit grek e italian (1913-1918), duke patur si gjithmonë përkrahjen e masave të popullit, luftoi për lirinë e atdheut dhe tërësinë e tij, kundër synimeve aneksioniste të qarqeve shoviniste të Athinës e të Romës. Ishte ndër themeluesit e shkollës shqipe «Drita» në Gjirokastër më 1917. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore u vu në krye të forcave patriotike që luftuan për mbrojtjen e shtetit shqiptar e demokratizimin e tij.
(L. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Hoxha Hysen