INDUSTRIA E VESHJEVE
✤ Degë e ind. së lehtë që prodhon veshje të sipërme dhe të brendshme, artikuj të tjerë të konfeksionuar për përdorime vetjake, shtëpiake etj. nga pëlhura e stofa me fibra natyrore e artificiale.
Para Çlirimit veshjet përgatiteshin nga zejtarët dhe në ekonomi shtëpiake. Me bashkimin e zejtarëve, në vitet e para të Çlirimit u organizuan kooperativa rrobaqepësie. Ndërmarrja e parë e veshjeve u ngrit në Tiranë mbi bazën e kooperativës së rrobaqepësisë «Ylli i Kuq». Me zhvillimin e ind. tekstile (shih) u krijuan kushte për ngritjen e I. së V. Sot I. e V. shtrihet thuajse në të gjitha qytetet e vendit. Janë organizuar linja prodhimi të specializuara dhe janë zbatuar në prodhim teknologji të reja prerjeje, qepjeje, hekurosjeje etj. Më 1982 në krahasim me v.1970 prodhimi i rrobave të gatshme prej stofi u rrit 2,1 herë, ndërsa i atyre prej pëlhure u rrit 1,2 herë. Artikujt e I. së V. plotësojnë të gjitha nevojat e popullsisë, një pjesë e mirë e tyre eksportohen.
(M.Ku.—T.B.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Industria E Veshjeve