KODIKU I 6-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 21 x 19 cm.
Sasia e fletetëve: 50.
Teksti: Në dy kolona, me 26 rreshta për kolonë.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë.
Datimi: viti 1043.
Kodiku ka tri vinjeta të pikturuara dy në formë shiriti dhe një me gërshetime të dy ngjyrave, blu
dhe kafe. Vinjeta e fletës 31 ruhet më mirë. Eshtë e ndarë në 9 katërkëndëshe, secila me nga
një ornament në formë luleje të stilizuar. Ajo e fletës 1 është e errësuar (ka qenë në ngjyrë blu
dhe të kuqe të errët).
Kodiku ka dhe disa germa iniciale të pikturuara. Relativisht më të bukura janë dy T (gr. „tau“)
në fletën 33, me ngjyrë të kuqe dhe blu.
Dëmtimet: Ky kodik është shumë i dëmtuar nga insektet, si në kapakët dhe në fletët me
tekstin. Prej fletës 1 deri në fletën 9 pergamena është ngrënë nga insektet në kolonat e majta,
duke dëmtuar shumë tekstin. Në disa nga këto faqe teksti është zhdukur nga zbehja, si në
fletët 1, 2, 3, 4, 5, 6, 8, 9. Gjithashtu zhdukje të pjesshme të tekstit kanë fletët: 11, 12, 14, 15.
Fleta 18 ka një grisje, por janë ruajtur copat e pergamenës, të cilat mundet të restaurohen.
Fleta 21 ka shumë zbehtësi. Fletët 23-26 janë prerë me thikë në kolonën e majtë deri në
rreshtin 10, por duke mos zhdukur shkronjat. Kurse fleta 23 ka 7 rreshta të fshirë shumë. Në
fletën 30 është zbehur shumë teksti i kolonës së djathtë. Kjo përsëritet edhe në fletët 36, 39-
43, 45 dhe 46. Fletët 48 dhe 49 e 50 kanë tekste me grafi të ndryshme prej asaj bazë, gjë që
tregon se janë disa duar shkruesish, të ndryshme prej asaj të kopjuesit.
Vlera e këtij kodiku qëndron në datimin e saktë që ai e ruan. Me anën e kaligrafisë së këtij
kodiku mund të bëhen krahasime me paleografinë e teksteve të padatuara dhe mund të
datohen me shumë përafërsi. Ky tekst duhet t’i përkasë kishës së ndonjë fshati, duke u
mbështetur në nivelin jo aq të lartë artistik të tij, si dhe në vinjetat, në inicialet dhe në grafinë e
tij.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]