KODIKU I 12-TË, I BERATIT
(OMILIE NGA UNGJILLI SIPAS GJONIT)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 22.2. x 16.6 cm.
Sasia e fletëve: 603.
Teksti: Në një kolonë, me 20 rreshta, me grafi të tipit të periudhës së mesme.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë, mbi të cilën ka ornamente të presuara,
njësoj si dhe ato të kodikëve të shekullit të 10-të e të 11-të. Këto ornamente gjenden në
kapakun e sipërm, kurse kapaku i poshtëm mungon, është vënë i ri nga restauratorët e
arkivit.
Omiliet janë shpjegime rreth temave ungjillore. Në këtë tekst ka shpjegime vetëm nga Ungjilli
sipas Gjonit.
Ky kodik nuk përmban asnjë motiv dekorativ, përveç vetë shkrimit të tij, që është i bukur
(kaligrafik).
Kodiku i 12-të është një nga ata që kanë pësuar shumë dëme. Përveç kapakut të poshtëm,
i cili është zhdukur, kodiku ka shumë fletë të dëmtuara, duke përfshirë dhe pjesë të tekstit.
Prej fletës 12 deri në fletën 28 cepi i sipërm i dorëshkrimit është dëmtuar nga lagështira.
Fletët e para kanë të dëmtuar edhe tekstin. Lagështi dhe grisje vërehen deri në fletën 73. Po
kështu dhe fletët 176 e 177, 179, 185, 195, 203, 208, 210, 220, 236, 240, 247, 249, 250, 255.
Prej fletës 257 deri në fletën 268 poshtë, pergamena është kalbur dhe grisur, aq sa janë
dëmtuar dy rreshtat e parë të tekstit. Pergamena poshtë ka pësuar dëme pa prekur tekstin
në fletët 271 e 272. Fleta 276 ka një të grisur poshtë, kurse faqja verso e saj është nxirë
shumë. Edhe në fletën 277 është dëmtuar shumë teksti. Në fletët 306, 315, 321 një pjesë e
pergamenës është këputur, duke mos prekur tekstin. Ndërmjet fletës 357 e 358 është grisur
dhe hequr një fletë. Fletët 367 e 368 kanë pësuar ndotje. Prej fletës 551 deri në fletën 554, në
cepin e sipërm fletët janë dëmtuar duke prekur fundin e katër rreshtave. Prej fletës 563 është
dëmtuar rreshti i parë. Gjithashtu dhe në fletët 566, 567, 570, 572, 574, 576, 577. Në fletën
599 janë dëmtuar 4 rreshtat e fundit. Në fletën 601 është dëmtuar pjesa e fundme dhe tre
rreshta, kurse në faqen verso 6 rreshta. Dy fletët e fundit të kodikut kanë pësuar shumë
dëme, si grisje të pergamenës, duke përfshirë rreshtat e shkronjat, por dhe errësim të faqeve.
Nisur nga grafia e tekstit, ka të ngjarë që dorëshkrimi t’i përkasë gjysmës së dytë të shekullit
të 11-të. Por duhet bërë krahasim me shpjegimin e Ungjillit të Gjonit, që ka shkruar Theofilakti
i Ohrit, i cili ka qenë i shquar në penë në çështjet teologjike.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]