KODIKU I 16-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 27.4 x 18.8 cm.
Sasia e fletëve: 161.
Teksti: Në një kolonë, me 12-13 rreshta për kolonë, me grafi të tipit të vonët, shkruar
me ngjyrë kafe të errët, me pikëzime të kuqe. Titujt e perikopeve janë me shkronja kapitale të
kuqe.
Kapaku i sipërm i kodikut është prej dërrase, mbështjellë me pëlhurë prej liri, e mbuluar me
kapak argjendi, që përmban një skenë të kryqëzimit të Krishtit. Në këtë skenë, pranë kryqit,
janë këto figura: Shën Mëria, Gjoni dhe një figurë tjetër. Anash krahëve horizontalë të kryqit,
në pjesën e sipërme, ruhen dy figura engjëjsh me fletë të hapura, me krye të përkulur nga
kryqi dhe me dorën e djathtë të hapur, shenjë që mund të tregojë habitje dhe mallëngjim.
Engjëllit të anës së majtë i ruhet vetëm një fletë. Në cepin e djathtë poshtë, brenda një
medalioni, ruhet një figurë ungjillori me ungjillin në duar, në përmasa të gjysmëfigurës. Nën
këmbët e Krishtit ruhet një figurë pa brezore, duke shkulur gozhdët nga këmbët e Krishtit.
Vetë figura e Krishtit të kryqëzuar nuk ruhet. Me siguri duhet të ketë qenë dhe një figurë
engjëlli nga e majta, si dhe një figurë ungjillori tjetër po nga e majta, për simetri të kompozimit
në tërësi të skenës. Por nuk janë më. Nën kryqin e Krishtit ruhet një figurë kafke, që mund të
përfytyrohet si kafka e Adamit. Këto figura janë punuar me rrahje mbi forma dhe janë arrirë
me nivel të lartë artistik.
Kodiku në fjalë ruan vetëm një vinjetë në faqen e parë, në formë katërkëndëshi. Në fushën e
saj gjendet titulli i ungjillit. Kjo vinjetë stoliset prej linjash të trasha të kurbëta në ngjyrë blu, mbi
një sfond të kuq. Por nuk ka ndonjë vlerë të veçantë artistike.
Si grafia, ashtu dhe kapakët prej argjendi me skenën e punuar në reliev me mjeshtëri të rrallë
artistike, flasin për një vjetërsi jo më të lashtë se shekulli i 13-të.
Në skenën punuar në argjend, mbi krahun horizontal të kryqit, lexohen fjalët në reliev: “Mbreti
i lavdisë“. Ndërsa pranë figurës së Gjonit, me shkrim vertikal, lexohet: “Joan Theologu“.
Duke qenë se punimet e argjendarisë me figura në pllaka argjendi, krijuar gjatë mesjetës
paraturke, tek ne janë ruajtur fare të pakta, kapaku me skenën e kryqëzimit të Krishtit, me
figurat që përmendëm, kanë vlerë artistike dhe historike, sepse dëshmojnë për zhvillimin e
suksesshëm të arteve të aplikuara gjatë asaj periudhe mesjetare në vendin tonë.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]