Arketipi Arketip-i:
(Term nga Kodikët e Shqipërisë)

Nga gr. “arheios” dhe “typos” – model parak, tip i vjetër. Model, shembulli i parë, forma më e hershme dhe më e besueshme si burimore, origjinale, për një tekst. Arketipi është gjedhja primitive mbi të cilën është mbështetur hartimi i një vepre, lëndore ose mendore. Në filologji “arketip” përdoret në kuptimin “model ideal, lehtësisht i kuptueshëm, mbi të cilin mbështeten apo rikrijohen veprat”. Sipas Platonit, “arketipi i të gjitha gjërave reale është ideja e së mirës”. “Arketip” është, gjithashtu, term i studimeve të tekstologjisë kritike për shkrimet ungjillore. Njihen tre-katër arketipe themelore të Dhjatës së Re. Arketipe quhen tekstet ungjillore që pranohen si më të afërtat me burimin e ungjijve. “Beratinus-1” konsiderohet një prej arketipeve më të vjetra dhe më origjinale të tekstit të Dhjatës së Re, sepse ndërthur ngjyresa të shkollës aleksandrine / siro-palestineze / Lindore / të shkrimeve të shenjta, me ato të shkollës Perëndimore (“western”). Kopjuesit e dorëshkrimeve ungjillore, para se të fillonin nga puna, duhej të siguronin tekstin arketip. Gjetja e arketipit përbënte një prej vështirësive më të mëdha. Sipas K. Naços, vazhdimësia e shkrimeve ungjillore në Shqipëri provon ekzistencën e arketipeve në këtë hapësirë.

Lista e fjalëve të fjalorthit
* Kodikët e Shqipërisë

[cite]