KODIKU I 23-TË, I BERATIT
(MUZIKË BIZANTINE KISHTARE, OKTOIH E TË TJERA)
Materiali: Letër.
Përmasat: 23 x 14.2 cm.
Sasia e fletëve: 159.
Teksti: Përmban poezi kishtare bizantine, shkruar në një kolonë, me ngjyrë kafe.
Inicialet janë të kuqe, pa stolisje.
Kapakët: Prej dërrase, të veshur me pëlhurë liri dhe lëkurë, e cila ka mbetur
fragmentare. Para kapakëve ka pasur një veshje me fletë pergamene për të forcuar letrën.
Ka të ngjarë që, si dërrasa, dhe pëlhura, të jenë të shekullit të 13-të.
Dëmtimet: Dëm skandaloz mbi kodikun përbën grisja dhe marrja nga një gjysmë flete në
fillimin e çdo zëri muzikor të muzikës bizantine. Këto kanë qenë të stolisura dhe me vinjeta.
Ky dëm është bërë në fletët 11, 23, 36, të cilat janë grisur e marrë në tërësi. Ndërsa ndërmjet
fletës 47 e 48, si dhe fletes 55, i është marrë gjysma.
Dëme të tjera: Zbehja e tepërt e gjysmës së fletës së parë, e cila duhet të ketë pasë shënime
rreth historisë dhe burimit të kodikut. Prej fletës 2 deri në fletën 17 është dëmtuar teksti prej
cepit të sipërm deri në gjysmën e fletës. Por në fletët që pasojnë dëmi në tekst vjen duke u
zvogëluar. Dëmi ka ardhur nga lagështia. Në fund të kodikut, aty ku janë lidhur fletët, është
brejtur nga insektet pjesa prej fletës 9 deri në fletën 42, duke mos e dëmtuar tekstin. Duhet
vlerësuar kjo gjendje, që të mos vazhdojë dëmtimi prej insekteve. Për këtë duhet të merren
masa dezinfektimi. Përsëri fillon dëmtimi nga insektet ndërmjet fletëve 97 dhe 142.
Gjithashtu prej fletës 157 deri në 159, që është e fundit, ka vazhduar brejtja nga insektet. Një
vrimë në mes të fletëve 157 dhe 159 ka dëmtuar një fjalë dhe notën muzikore.
Autori i dorëshkrimit, në fletën e fundit prej letre, ka lënë këto fjalë: “U shkrua me dorën time,
të të përvuajturit Mihail Slavopulit, në vitin 1292“.
Zbukurime: Kodiku ka dy vinjeta. E para është në fletën 64; kjo ka formën e germës „P “-pi
greke – dhe është e stolisur me dekore zemrash të stilizuara brenda linjash të kurbëta, që
vendosen mbi një sfond të gjelbër dhe të kuq. Kurse vinjeta e dytë është në formën e dy
shiritave. Nga këto, i pari është në trajtë gërsheti prej dy linjash, bardhë e kuq, mbi sfond të
gjelbër, përkufizuar prej dy linjash horizontale të kuqe. Kjo lidhet me vinjetën e sipërme me
dekor në formën e një vargu germash „w“-omega greke, që përshkohen prej një linje të bardhë.
Shënime: Emri i autorit të poezisë me nota bizantine ruhet në disa vende, si dhe në fund të
tekstit të fletës 55, ku shkruhet: „e Joan monakut“ – e murgut Gjon.
7
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve