KODIKU I 24-T, I BERATIT
(UNGJILLMEPERIKOPE)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 33 x 22.6 cm.
Sasia e fletëve: 252.
Teksti: I shkruar në dy kolona, me 27 rreshta për kolonë, me grafi të tipit të vonë, në
ngjyrë kafe të errët.
Në bazë të grafisë, kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 15-të.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë të thjeshtë, pa ornamente. Duke qenë se kjo
është grisur në pjesën e poshtme, më vonë është plotësuar me beze të gomuar.
Autori i garfisë së kodikut është anonim.
Në fletën 251 gjendet një shënim, që ruhet aq shumë i dëmtuar, për shkak të grisjes së fletës
në mënyrë vertikale, aq sa nuk mund të lexohet gjë, përveç dy fjalëve: “i është dhënë Gjergjit
të Madh“. Në fund gjendet gjithashtu viti i dorëshkrimit: 6946, gjegjësisht 1438, sipas kalendarit
të ri, si dhe shënimi: „e shkroi Teodor Gramatia“, që do të thotë „sekretari“. Ky Gjergj i madh
që përmendet në tekst nuk mund të jetë heroi ynë kombëtar – Gjergj Kastrioti, për arsye se ky
në atë nuk ishte bërë i dëgjuar, që të mund të quhej „i madh“, por ka mundësi të jetë fjala për
Gjergj Arianitasin, i cili atëherë sundonte në Myzeqe.
Shkruesi i shënimit fragmentar është sekretari Teodor, që duhet të ketë qenë funksionar i
qytetit të Beratit. Në atë kohë Berati ka qenë “qytet shumë i shkëlqyer“, siç shkruan piktori
Onufri në një mbishkrim autograf të tij në një kishë në Kostur, të cilën ai e ka pikturuar.
Dëmet: Dorëshkrimi në fjalë është një nga më të dëmtuarit. Prej fletës 1 deri në fletën 26
materiali është grirë nga dëmtimi, duke zhdukur kolonën e djathtë dhe duke lënë vetëm
fragmente të vogla e të mëdha vetëm në kolonën e majtë. Prej fletës 29 deri në fletën e fundit
kodiku fletët i ka të ngrëna nga insektet në pjesën e sipërme në linjë horizontale. Dëmtimi
vazhdon në mënyrë të pjerrët deri në gjysmën e fletëve, duke i zhdukur deri në rreshtin 10
fjalët e tyre anësore. Fleta 83 është dëmtuar nga grisja dhe marrja e vinjetës në kolonën e
majtë. Katër fletët e fundit të kodikut kanë mbetur fragmente.
Zbukurime: Në fletën 64 ruhet e pikturuar figura e ungjillorit Marku, i cili paraqitet ndenjur mbi
një stol duke shkruar ungjillin. Në fletën 150 ruhet një vinjetë në formë shiriti përshkruar prej
një linje të bardhë në trajtë zigzage, që krijon trekëndëshe; në secilën nga këto është pikturuar
nga një lilan tri-katër petalesh, mbi sfond të zi dhe të kuq të errët, që japin kontrast. Në fletën
164 një figurë në miniaturë me dorë të zgjatur është dhënë si iniciali epsilon „g“. Në fletën 173
është një tjetër figurë, ku përdoret si nistore po shenja e epsilonit, me veshje blu. Në fletën
201 gjendet një vinjetë pa vlerë artistike.
Inicialet kodiku i ka të stolisura dhe të thjeshta, në fillim të mëdha, me ngjyra blu, të kuqe dhe
të bardhë, me figura insektesh të stilizuara. Këto ngjyra kontrastuese dëshmojnë dhe për
datimin e kodikut si të shekullit të 15-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve