KODIKU I 35-TË, I BERATIT
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 18.5 x 13 cm.
Sasia e fletëve: 428.
Teksti: Në një kolonë, me 26 rreshta për faqe. Shkronjat janë në ngjyrë kafe të çelët.
Titujt e ungjijve janë me shkronja kapitale. Nistoret e çdo ungjilli janë me shkronja të mëdha
kapitale të stolisura me ngjyra.
Grafia: E tipit të vonë, por me vlerë bukurshkrimore.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë, zbukuruar prej linjash të presuara. Cepi i
kapakut të sipërm është këputur dhe një pjesë lëkure në anën e poshtme të lidhjes ka rënë
nga kodiku, i brejtur nga mola.
Stolisja: Kodiku stoliset me tri figura të pikturuara në fletët e para të fillimit të çdo
ungjilli. Figura e ungjillorit Gjon me sa duket ka pasë munguar.
Kodiku ka edhe tri vinjeta.
Ungjillorët kanë thuajse të njëjtin kompozim, ndenjur mbi një fron para tryezës së shkrimit
dhe para një pulti. Tek të tria figurat duket një engjëll duke u zgjatur nga pas dhe duke i prekur
kallamin me të djathtën e shtrirë, gjë që simbolizon inspirimin prej së larti (frymëzimin hyjnor).
Fronet janë në ngjyrë të gjelbër të errët, ose të çelët, ose të kuqe. Figurat stolisen me zbukurime
në ngjyrë të kuqe ose blu. Mateu stoliset me blu në të gjelbër të errët, me pala të ndritura prej
ari dhe me veshje të kuqe, duke ngjyer kallamin në shishe. Marku paraqitet duke prekur
kallamin dhe Luka duke shkruar në libër. Më mirë nga portretet e ungjillorëve ruhet ai i Mateut
dhe në përgjithësi figura e tij. Tek Mateu dhe tek ungjillorë të tjerë engjëjt i shohim me fletët
përpjetë, paraqitur me mjaft elegancë, në ngjyrë të kuqe dhe blu. Tek Marku hitoni është i kuq,
në format e dala në ngjyrë violetë të çelët, mbi fron të kuq. Tek Mateu dhe Luka e kuqja
kombinohet duke u vendosur ndërmjet dy ngjyrave kontraste. Portretet e tyre dhe të engjëjve
modelohen në ngjyrë kafe.
Vinjetat e tyre janë horizontale, në formë shiriti. Ato kanë motive në formë zemrash, me linja
valëzuese dhe në trajtë medalionesh, prej ngjyrash blu, të kuqe dhe kafe, por pa ndonjë vlerë
artistike.
Ndër figurat e ungjillorëve vlerë artistike më të dukshme paraqet ajo e Mateut, jo se është
ruajtur shumë më mirë nga dy të tjerat, por se është trajtuar më me kujdes.
Vlera e këtij kodiku vërehet sidomos në grafinë e tij shprehëse.
Kodiku në fjalë nuk mund të jetë më i vjetër se shekulli i 14-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve