KODIKU I 55-TË, I BERATIT
(MINEJ)
Materiali: Letër.
Përmasat: 28 x 20.5 cm.
Sasia e fletëve: 231.
Teksti: I shkruar në një kolonë.
Grafia: E tipit të vonë, në ngjyrë kafe të errët. Titujt janë në kafe të çelët.
Ky vëllim përmban tekstet përkatëse të minejit të muajit shtator, tetor, nëntor, dhjetor, janar,
shkurt. Për muajin shkurt ruhen vetëm fletët që kanë tekstin deri në datën 10 dhe një gjysmë
faqe të datës 11, të tjerat janë zhdukur.
Për përmbajtjen e kodikut po vëmë në dukje faktin që emrat e martirëve ose shenjtorëve nuk
korrespondojnë me ata të botuar në sinekdhinos, të paralajmëruar në përmbajtje dhe as me
datat e ditëve të festimit të tyre, as me emrat. Me sa duket, listën dhe ditët e festimit të çdo
shenjti i kanë marrë nga qendra kishtare jovendëse, siç ka qenë Jeruzalemi, Antiokia, Roma,
Aleksandria, Efesi etj. Këto qendra i përmendim për arsye se një skedim i këtyre minejve ose
i martirologëve tregon ndikimet që kanë ardhur në kishën tonë.
Stolisjet: Ky kodik stoliset me shumë iniciale të pikturuara me motive të ndryshme. Këtu
vërejmë, përveç atyre me linja dhe motive teratologjike, siç quhen në këtë gjini të artit kishtar,
këto me madhësi të vogël dhe afërsisht mesatare. Ka edhe pak vinjeta me linja në formë
shiriti horizontal, jo me vlerë të madhe artistike. Vetëm njëra mund të veçohet, në faqen verso
të fletës 31, që flet mbi titullin e muajit tetor, me motivin e rrathëve, që shkelin e shkelen prej
rrathësh të tjerë, por e lënë përgjysmë.
Dëmtimet: Ky kodik ka pësuar shumë dëme. Prej fletës 1 deri në fletën 9 kodiku ka pësuar,
sipër, grisje. Në fletët e para ka pësuar dëme edhe teksti. Disa nga këto fletë janë zbehur nga
lagështia, ndaj teksti nuk mund të lexohet. Ndërmjet fletës 9 e fletës 10 është grisur një fletë
dhe është zhdukur. Fleta 10 ka një të prerë vertikalisht dhe pjesa e prerë është marrë, me sa
duket për inicialin e pikturuar. Fletët kanë pësuar dëme nga lagështia deri në fletën 31 verso,
ku fillon muaji tetor.
Tetori ruhet në pak fletë, me sa duket pa radhë kronologjike.
Shtatori nuk ka radhë në renditjen e shenjtorëve. Prej muajit tetor deri në janar, duke e përfshirë
edhe këtë, minejt kanë radhitje kronologjike të plotë.
Prej fletës 40 deri në fletën 42 ka një ndërprerje, sepse mungon fleta 41, e cila është vënë
ndërmjet fletëve 152-153.
Muaji shkurt gjendet prej faqes verso të fletës 221, deri në fletën 231. Një pjesë e tekstit është
zhdukur. Mund të jetë ngjitur në fillim të këtij kodiku.
E meta e këtij kodiku qëndron në mungesën e datës e të muajit dhe (mos)përmendjen e
emrit të çdo shenjti. Po të ishte ndryshe, mund të konstatoheshin cilat fletë mungojnë.
Prej fletës 221 deri në fletën 231 fletët kanë një të brejtur prej molës, në mënyrë gati të
rruzullt, në pjesën e sipërme.
Datimi: Duke u mbështetur në grafinë e tij, kodiku duhet t’i atribuohet dekadave të para të
shekullit të 15-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve