KODIKU I 81-TË, I BERATIT
(OKTOIH-ANTOLOGJI MUZIKORE BIZANTINE)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 25.7 x 22 cm.
Sasia e fletëve: 220.
Grafia: Në ngjyrë kafe të çelët, e tipit të vonë, kurse notat në ngjyrë kafeje të errët, në
një kolonë, me 24 rreshta tekst dhe 24 rreshta të notave.
Kapakët: Prej dërrase. Duhet të kenë qenë veshur me lëkurë. Sot ruhet vetëm ai i
poshtmi, edhe te ky vetëm dërrasa. I sipërmi mungon.
Gjendja: Katër fletët e para të kodikut janë të shqitura nga fashikulli, kurse shumë të
tjera duhet të jenë zhdukur. Fletët e para janë errësuar dhe grisur ngapak. Nga ana e djathtë
është dëmtuar dhe teksti.
Fleta e fundit është e brejtur shumë nga mola. Dy fletët e fundit janë shkruar nga një dorë
tjetër, e cila, në një shënim më të vonë, mallkon ata që mund ta vjedhin kodikun. Kodiku ka
edhe fashikuj të shqitur.
Grafia: Me vlerë kaligrafike të shkëlqyer, por është tepër e zbehtë në shumë fletë. Në fletën
117 ruhet një vinjetë në formë shiriti, që përkufizon një fushë katërkëndëshi. Ky shirit stoliset
me motive në formë zemrash të stilizuara, vizatuar në ngjyrë kafe të çelët.
Kodiku përmban poezi të muzikuara, me alfabetin muzikor bizantin kishtar. Janë këngë që
këndohen në festat kishtare të vitit, por në tekst nuk janë theksuar festat e vitit në të cilat
këndohet secila prej tyre. Këtë ne e konstatojmë nga teksti në fletë, kur është i qartë.
Në bazë të grafisë, kodiku duhet t’i atribuohet shekullit të 14-të.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]