LABORATORI I KËRKIMEVE HIDRAULIKE


LABORATORI I KËRKIMEVE HIDRAULIKE
✤ Institucion kërkimor-shkencor në fushën e hidraulikës, i krijuar më 1968 mbi bazën e një laboratori të Katedrës së Hidraulikës së UT, dhe që nga v.1973 në varësi të Akademisë së Shkencave. Zgjidh probleme teorike dhe eksperimentale të modelimeve hidraulike për veprat në hidroenergjetikë, hidroteknikë, bujqësi, transport, industri, ekonomi komunale etj. Salla kryesore e mbyllur për modelime e kërkime eksperimentale ka sistemin e sjelljes së ujit me prurje të përgjithshme 1000 lit/sek. Ndër studimet teorike e eksperimentale të kryera nga L. i K.H. janë: modelimet hidraulike për veprat e shkarkimit si kapërderdhësit e shkarkuesit në HEC-et, për portet kryesore, për dinamikën e lëvizjes së naftës në kushtet e shtresës në vendburimet tona; për digat në disa lumenj për krijimin e ujëmbledhësave etj. Prej v.1965 L. i K.H. është anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Kërkimeve Hidraulike.

(P.St.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Laboratori I Kërkimeve Hidraulike


[cite]