LAKO MIHA


LAKO MIHA
✤ (1901-1985). Militant komunist, veteran dhe figurë e shquar e lëvizjes punëtore e komu-niste shqiptare. Lindi më 1.6.1901 në fshatin Hoçisht të rrethit të Korçës. Punoi si këpucar qysh në moshë të vogël e deri më 1940 në Korçë. Përqafoi që në rini idetë komuniste dhe u hodh në veprimtari revolucionare. Më 1928 së bashku me punëtorë të tjerë revolucionarë organizoi celulën e parë komuniste në Korçë. Mbledhja e përfaqësuesve të celulave komuniste (1929) e zgjodhi kryetar të komitetit drejtues të GK të Korçës (shih). U shqua për punë të palodhur midis punëtorëve, zanatçinjve dhe shtresave të varfra. Ka dhënë ndihmesë të çmueshme për formimin e PKSH, ka luftuar kundër regjimit të Zogut dhe armiqve të lëvizjes komuniste shqiptare. Anëtar i PKSH me themelimin e saj. Gjatë Luftës ANÇ punoi me të gjitha forcat për organizimin e fitoren e saj. Mori pjesë në Kongresin I Antifashist të Përmetit (1944), i cili e zgjodhi anëtar të KANÇ. Pas Çlirimit është ngarkuar me detyra të rëndësishme partie e shtetërore, ka punuar kurdoherë me besnikëri ndaj vijës marksiste-leniniste të PPSH dhe çështjes së socializmit. Deputet në Kuvendin Popullor nga legjislatura e katërt (1958). deri në të nëntën (1978).

(M.I.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lako Miha


[cite]