ÇOMO SEZAI


ÇOMO SEZAI
✤ (1894-1970). Mjek atdhetar, veprimtar demokrat antizogist. Lindi në Libohovë (Gjirokastër). U diplomua për mjekësi në Stamboll më 1916. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen çlirimtare antiimperialiste të . viteve 1918-1920. Delegat i Gjirokastrës në Kcngresin e Lushnjës (shih), mori pjesë si luftëtar e mjek në betejat e Luftës së Vlorës. Pas fitores u bë drejtor i spitalit të Vlorës, me ngritjen e spitalit psikiatrik -drejtor i tij. Si mjek. i shërbeu kurdoherë popullit. Ishte ndër themeluesit dhe anëtarët e «Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare». shok e bashkëpunëtor i A.Rustemit, H.Xhelos etj. në krijimin e Federatës «Atdheu». Anëtar i shoqërisë «Bashkimi», mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Ndër organizaiorët e lëvizjes antifeudale të fshatarësisë e të vegjëlisë qytetare për zbatimin e programit të Qeverisë së Fan Nolit dhe për thellimin e karakterit të Revolucionit të Qershorit. Pas kthimit të klikës zogiste, S.Ç. u detyrua të lërë atdheun e të largohej jashtë shtetit, në Turqi. Pas Çlirimit ka vizituar disa herë atdheun dhe ka përshëndetur fitoret e tij në ndërtimin e socializmit.

(F.Ho.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çomo Sezai


[cite]