LISTERIOZA
✤ (Listeriosis). Sëmundje infektive e shkaktuar nga Listeria vionocytogenes që dëmton bagëtinë e veçanërisht dhentë, dhitë, prek dhe njeriun. Sëmundja shfaqet me disa shenja klinike, një nga format më të shpeshta të sëmundjes është ajo nervore. Në fillim kafsha ka temp. të lartë e cila pas një-dy ditësh bie dhe pasohet me karavasje, anoreksi, lëkundje dhe prishje të ekuilibrit, së fundi nuk ha, afron kokën te barku, dobësohet dhe ngordh. Vërehet shpesh dhe forma e fshehtë e sëmundjes. Diagnostikimi i L. bëhet duke u bazuar në të dhënat epizootologjike, klinike, bakteriologjike dhe serologjike. Metoda e reaksionit të seroaglutinacionit përdoret në Institutin e Kërkimeve Veterinare. Në Shqipëri L. është vërejtur kryesisht në bagëtitë e imëta, në ekonomitë e zonës malore. Ka natyrë stinore. Për luftimin e L. në stalla bëhet dezinfektimi me sodë kaustike i dyshemesë, i mureve, i grazhdeve e i inventarit të shërbimit. Në tufat e prekura përmirësohet racioni ushqimor. Ndalohet kontakti i tufës së prekur me llojet e tjera të kafshëve shtëpiake. Për parambrojtjen e bagëtive nga L. përdoret vaksina.
(Al. K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Listerioza
[cite]