Ikonë

(greqisht: εικόνα) Ikonë vjen nga fjala greke eikona që do të thotë figuroj. Ikonat pikturohen mbi dërrasë dhe më pas vendosen në ikonostas sipas një renditjeje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave i nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës. Ikona të lëvizshme quhen ato që paraqesin skena nga Bibla ose portrete shenjtorësh dhe pikturohen në dru qiparisi ose pishe. Në vitet e persekutimeve të kishës, ikonat ishin të pakta dhe mbaheshin në fshehtësi nëpër shtëpitë dhe katakombet e të krishterëve, por në kohën e Kostandinit të Madh, kur krishterimi u shpall si fe e lirë, ikonat u shtuan dhe zbukuruan muret e shtëpive dhe të kishave. Kisha kurdoherë ka mësuar se ikonat duhet vetëm të nderohen, d.m.th. ndaj tyre të krishterët duhet të tregojnë nderim të thellë, por jo të adhurohen, sepse adhurimi i takon vetëm Perëndisë. Ky nderim i kushtohet personit që përfaqëson ikona dhe jo imazhit dhe materialit nga i cili është bërë ikona.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]