Nifoni
(greqisht: Νήφων) shqiptar ortodoks Nifoni (1315-1411) ka lindur në vitin 1315 në fshatin Lukovë të Sarandës. Që në moshë të re ai u qeth murg dhe më pas u bë prift në manastirin e Shën Kollit në Mesopotam. Më vonë u largua nga Shqipëria për të shkuar në Malin Athos, ku u vendos pranë një heremiti të quajtur Theognost, i cili jetonte pranë Lavrës së Madhe. Pas tre vjetësh asketizëm, Theognosti zbuloi që nxënësi i tij Nifoni ishte prift dhe donte ta nderonte sipas rangut, por oshënari nuk pranoi dhe u largua për në kepin jugor të Athosit ku qëndroi rreth 14 vjet në vetmi. Vite më vonë Nifoni gjeti strehë pranë Shën Maksim Kavsokalivit. Pas vdekjes së këtij të fundit Nifoni u vendos në një shpellë përballë ishullit të Shën Kristoforit, e cila ndodhej në lartësitë shkëmbore dhe binte si thikë në det. Aty asketoi deri në fundin e jetës së tij duke pranuar vetëm dy nxënës që të jetonin bashkë me të. Këta ishin bashkëfshatarët e tij nga Lukova, Marku i Ilirisë dhe vëllai i tij Gabrieli. Oshënar Nifoni fjeti në vitin 1411 në moshën 96-vjeçare. Kisha e kanonizoi shenjt dhe e nderon më 14 qershor.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Shën Nifoni nga Lukova, Ngjallja, qershor 1993, faqe 6.