MËSONJËTORJA SHQIPE E KORÇËS
✤ Shkollë fillore me fizionomi të theksuar kombëtare laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. U hap në kushtet e pushtimit osman kur shkollat shqipe dhe mësimi shqip ishin të ndaluar në Korçë, më 7.3.1887, me nismën e një grupi rilindësish dhe me përkrahjen e masave patriotike korçare dhe atyre të’mërgimit. Ajo u kthye në një vatër të edukimit të vetëdijes kombëtare. Aty mësonin nxënës të të gjitha besimeve, sekseve dhe shtresave dhe mësimi jepej falas. Nga ana e përmbajtjes, e strukturës dhe e planit mësimor ishte një shkollë mjaft e përparuar. Jepeshin lëndët: shkrim, këndim, gjuhë shqipe, gramatikë shqipe, histori e Shqipërisë, gjeografi, aritmetikë etj. E tërë veprijntaria përshkohej nga idetë patriotike, nga edukata e punës dhe dashuria për dije. Drejtuesit e saj qenë veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Shkolla funksionoi 15 vjet, duke përballuar vështirësitë e pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe kleri antikombëtar. Në prag të shek. XX u bë me 6 klasa. Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes për çlirim kombëtar e shoqëror. Në përkujtim të saj data 7 mars është shpallur «Dita e Mësuesit».
(Sh. O.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mësonjëtorja Shqipe E Korçës
[cite]