MËSYMJA E NJËSIVË TË UNÇSH PËR ÇLIRIMIN E QYTETEVE KRYESORE TË SHQIPËRISË SË JUGUT


MËSYMJA E NJËSIVË TË UNÇSH PËR ÇLIRIMIN E QYTETEVE KRYESORE TË SHQIPËRISË SË JUGUT
✤ (korrik-tetor 1944). Përfshin veprimet luftarake mësymëse të njësive të UNÇSH për çlirimin e qyteteve kryesore të Shqipërisë së Jugut në kuadrin e mësymjes së përgjithshme për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Filloi me pjesëmarrjen e Br. VII, VIII, II, XII dhe XV, si dhe të forcave partizane vullnetare territoriale të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, të qarkut të Korçës dhe të Beratit. Në ditët e para të shtatorit forcat pjesëmarrëse në mësymje u shtuan edhe me pesë brigada të tjera: XVI, XIV, XX, IX e XIX. Këto njësi të UNÇSH kishin për detyrë të çlironin qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut. Objektet e para të sulmit ishin garnizonet e armikut në nyjat kryesore të rrugëve të komunikacionit, të ndërthurura me goditje të vazhdueshme për asgjësimin pjesë-pjesë të forcave kryesore të tij në qytet, si dhe shpartallimin e bandave xhandaro-balliste. Në sajë të veprimeve luftarake aktive me karakter sulmues, forcat pjesëmarrëse deri në fund të shtatorit arritën të asgjësonin plotësisht disa garnizone të armikut, si atë të Dukajt, të Spilesë, të Belshit e të tjera dhe të çlironin Konispolin, Beratin dhe Gjirokastrën. Një muaj më pas, në Beratin e lirë, u vendos Kryesia e Këshillit Antifashist NÇ, Qeveria Demokratike dhe KQ i Partisë Komuniste Shqiptare. Repartet dhe njësitë gjermane të Korparmatës XXI dhe XXII Malore u detyruan të mbylleshin dhe të zhvillonin luftime mbrojtëse në qytetet e tjera kryesore, në kushtet e rrethimit nga forcat tona dhe me garnizone të vogla e patrulla të lëvizshme të siguronin rrugët e tërheqjes Leskovik-Korçë-Bilisht, Sarandë-Vlorë-Fier-Rrogozhinë dhe Strugë-Librazhd-Elbasan. Në muajin tetor njësitë e UNÇSH, në bashkëveprim me forcat vullnetare partizane të terrenit, u hodhën në sulmin vendimtar, goditën autokolonat e armikut në rrugët e komunikacionit, duke nxjerrë jashtë luftimit me qindra ushtarë e oficerë, kapën ose shkatërruan një sasi të konsiderueshme armatimesh e municioni e teknikë luftarake dhe çliruan Sarandën, Vlorën, Fierin, Lushnjën, Ersekën, Korçën, Pogradecin dhe tërë Shqipërinë e Jugut. Mësymja e njësive të UNÇSH për çlirimin e Shqipërisë së Jugut, e cila u zhvillua nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, shokut Enver Hoxha, arriti qëllimin strategjik, çlirimin e kësaj pjese të Atdheut nga pushtuesit gjermanë, shpartallimin e pushtetit reaksionar, forcimin e mëtejshëm të pushtetit popullor dhe dështimin e planeve të imperialistëve anglo-amerikanë për të zbarkuar në Shqipëri.

(A. H.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mësymja E Njësivë Të Unçsh Për Çlirimin E Qyteteve Kryesore Të Shqipërisë Së Jugut


[cite]