Manastiret
(greqisht: μοναστήρι) Manastiret kanë qenë qendra të mëdha shpirtërore me karakter social, të zhvillimit kulturor etj. Nëpër manastire ka pasur njerëz të ditur dhe me kulturë. Si qendra të adhurimit kristian, të përhapjes së kulturës bizantine gjatë sundimit osman, manastiret kanë luajtur rol të madh shoqëror për popullsinë vendase. Nëpër manastiret e Shën Kozmait, Teologos, Germanosit etj, ka pasur shkolla djemsh ose vajzash, të cilat funksiononin me shpenzimet e manastirit. Gjithashtu shumë manastire të tjera sponsorizonin shkollat e krahinës. Në disa manastire ka pasur punishte, të cilat zbukuronin kodikët, qepnin veshjet e shenjta, gdhendnin ikonostasët etj. Manastire të tjerë kanë botuar libra të ndryshëm fetarë, kanë pasur biblioteka të pasura, ose kanë organizuar konferenca. Qendrat monakale kanë zhvilluar aktivitete bamirësie, duke ndihmuar njerëzit në nevojë etj. Në disa manastire ka pasur qendra shëndetësore dhe jetimore. Nëpër manastire është kultivuar arti i pikturimit të ikonave dhe muzika bizantine. Nëpër panairet e këtyre manastireve mernin pjesë shumë pelegrinë të ardhur nga fshatrat përreth. Panairet, përveç rolit shpirtëror të pelegrinazhit, janë frekuentuar edhe nga tregtarët, të cilët shfrytëzonin rastin për të shitur mallrat e tyre. Popullsia në raste panairesh vishej me kostume popullore duke ekspozuar traditat e zonës. Manastiret janë ndërtuar kryesisht gjatë kohës së Justinianit në shekullin VI, të Kostandin Pogonatit në mesin e shekullit VII dhe të dinastisë së Maqedonëve prej shekullit IX deri në shekullin XI. Këto manastire janë ndërtuar nëpër vende të dukshme, në majë të kodrave, në male, në ishuj etj. Shumë manastire janë rrethuar nga mure të larta prej guri. Brenda mureve kanë qenë qelitë e murgjve. Qendra e çdo manastiri ishte kisha katedrale, e cila në më të shumtën e rasteve ishte me kupolë. Në brendësi të kishave gjejmë afreske, ikonostase, ikona dhe sende të tjera të shenjta me vlerë. Zakonisht pranë katedrales gjendej trapezaria, e cila përbënte vendin e grumbullimit të murgjve për vaktet e ushqimit. Nëpër manastire ka pasur arhondari, në të cilat priteshin pelegrinët. Arhondaritë zakonisht janë ndërtuar pranë portës së manastirit, kanë qenë dhoma me oxhak dhe me stola rreth e qark, të cilat shërbenin për ata që vinin për pelegrinazh në manastir.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Jorgos Jakumis, Kostas Jakumis, Manastiret e Shqipërisë, Kathimerini, 19 janar 1997, faqe 5-8.