Martin Luteri
Martin Luteri (1483) ka lindur në Eisleven të krahinës Saksoni në Gjermani, më 1483. Ishte biri i një familje fshatare. I ati kishte qënë pagan, ndërsa e jëma Monika ishte e krishterë. Më vitin 1501 Luteri, u regjistrua në universitetin e Erfurtit, qendër e rëndësishme e mendimit humanist dhe e rilindjes dhe katër vjet më vonë, mori titullin mjeshtër i filozofisë. U dorëzua murg në urdhërin Agustin. Murgjit në kuvend e bezdisnin Luterin me fjalët: “Nuk jemi këtu për të lexuar letërsinë e lashtë romake, por për të dalë e për të kërkuar lëmoshë”. Kuvendet e murgjërve ishin në atë kohë, në një periudhë tepër të vështirë. Luteri si murg dhe prift nuk ngopej së punuari mbi letërsinë kishtare. Pasi mbaroi me Ungjijtë dhe Apostujt, ai filloi të depërtonte në labirinthet e mistikës mesjetare. Në 1508 Luteri, filloi mësimdhënien në Universitetin e Vitenbergut, pasi i kishte fituar të gjitha gradat në teologji pas dhjetë vjet punë studimore. Luteri në Vitenberg mbante leksione mbi Biblën si dhe mbi Etikën e Aristotelit. Në këtë universitet Luteri u shpall Doktor i Shkencave Teologjike dhe Profesor. Rektori i Universitetit Membrinshtaol u tregua profet kur tha: “Ky frat do të kapërcejë të gjithë doktorët tanë dhe do të formulojë një doktrinë të re, duke u mbështetur vetëm në shkrimet e shenjta. Më 1512 Luteri u shpall Doktori i Teologjisë dhe zyrtarisht profesor. Në vitin 1510 Luteri bëri një vizitë në Romë, e cila i la përshtypje shumë të këqia. Prej andej, u kthye shumë i dëshpëruar, sepse në vend që të shikonte mbrekulli, kishte parë një shthurje morale, abuzime të shumta, një kler të mbytur në lluks, kur popullsia jetonte krejt e varfër. Nga këto mendime kuptojmë se shkaku kryesor, i të gjithë furtunës që do të shpërthejë në Gjermani dhe në Evropë, ishte vetë politika shtypse e oborrit papal. Në vitin 1516 Martin Luteri filloi të predikojë në Kishën e Vitenbergut. Duhej vetëm një rast, që Luteri të kthehej nga një profesor në një rebel të vërtetë. Dhe ky rast u paraqit me dhënien e Indulgjencave, të cilat i vunë zjarrin reformës.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Vjollca Dervishi, Martin Luther reformatori, Kontribut për edukimin, Tiranë 1997, faqe 13.
2-Koli Xoxi, Martin Luteri dhe Rilindasit tanë, Atla, Tiranë 1996, faqe 4-14.