MAJA E GJARPRIT


MAJA E GJARPRIT
✤ Majë

mali në Alpet Shqiptare në rrethin e Tropojës me lartësi 2213 m. Shtrihet midis luginës së Çeremit në VL, luginës së Milloshit në JL (degë të majta të Valbonës) dhe vetë luginës së Valbonës në JP. Është e ndërtuar thuajse tërësisht prej gëlqerorësh e dolomitesh të mesozoit. Ka trajtën e një maje të mprehtë piramidale me shpate të rrëpirta. Shpati V e VP bie thikë mbi luginën e përroit të Çeremit. Shpati J formon një rrëpirë 600-700 m të thellë mbi Livadhet e Dragobisë, kurse nga L vazhdon me kreshtën e Gjarprit të sipërm dhe atë të Paipës. Bimësia mbi lartësinë 1500-1600 m mungon pothuajse tërësisht; ndeshen vetëm drurë të mëdhenj rrobulli. Nën këtë lartësi rritet ahu, kurse në rrëzën e shpatit J rritet edhe dushku.

(Gj.G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Maja E Gjarprit


[cite]