MARUBI
✤ Familje dhe firmë e njohur fotografësh patriotë nga Shkodra. Pjetro Marubi (1834-1903) arkitekt, piktor dhe amator i fotografisë, i ndjekur nga vendi i tij (Piaçenca) si garibaldin, u vendos në Shkodër dhe ushtroi fotografinë. Punimet e para që ruhen janë të v. 1858-1859. Ndër fotografitë e tij me vlera historike janë pamjet nga kryengritja e Mirditës (1876-1877) dhe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881, që u botuan në revista të ndryshme të huaja. P. Marubi lidhi miqësi me familjen e Rrok Kodhelit, fshatar nga Kodheli i Zadrimës, djemtë e të cilit Matia dhe Mikeli i tërhoqi fotografia. Matia (1862-1881) vdiq i ri, duke lënë pak punë, si një portret të Kolë Idromenos. Mikeli, i njohur si Kel Marubi (1870-1940) punoi me P. Marubin që 15 vjeç. Pas vdekjes së mjeshtrit drejtoi «Stuaion Marubi», duke u mbiquajtur Foto Marubi, mbiemër që i mbeti atij dhe familjes. Ndjenjat patriotike për një Shqipëri të pavarur, kundër sundimit osman dhe shovinizmit serbo-malazez e bënë mik e shok me atdhetarë të kohës. Me aparat në dorë e pa iu trembur syri, ndoqi dhe fotografoi ngjarje të rëndësishme e figurat e tyre të shquara, si përfaqësuesit e Shkodrës para nisjes për në Prizren më 1878, flanaurin kombëtar që ngritën malësorët në Deçiç, ngritjen e flamurit në Vlorë, pamje nga jeta e qyteteve tona në funcl të shek. XIX e fillim të shek. XX. Me veprimtarinë e Kel Marubit fotografia shqiptare u ngrit në nivelin e artit. Djalin e tij, Gegën, e dërgoi në të parën shkollë të kinematografisë e fotografisë që çelën shpikësit Lymjerë në Paris. Më 1970 pasurinë prej rreth 150.000 negativash me vlera të shquara historike kombëtare familja ia dhuroi shtetit. Së bashku me arkivat e disa fotografëve të tjerë u ngrit Fototeka e Shkodrës, institucion i posaçëm, qendër e rëndësishme dokumentacioni për historinë, kulturën dhe artet tona. Një pjesë e këtij fondi është botuar në «Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës» (T., 1982 përgatitur nga Kahreman Ulqini). (P. N.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Marubi
[cite]